Rama premtoi kredi për blerjen e banesave, dha leje për kulla, tani kërkon supertaksë për vilat e bregdetit dhe apartamentet bosh: A do t’i kapë taksa edhe 300 apartamentet e Ballukut, vilat e saj dhe të pushtetarëve?

Edi Rama ka gjetur një tjetër mënyrë për të mbledhur para: supertaksën mbi apartamentet bosh dhe vilat në bregdet. Pas më shumë se një dekade në pushtet, gjatë së cilës Tirana u mbush me kulla, bregdeti me komplekse luksoze dhe çmimet e banesave u rritën, kryeministri ua paraqet pronarëve faturën e një tregu që qeveria e tij ka ndihmuar të formësohet.
“Një super-taksë prone për ata që blejnë e mbajnë apartamente bosh, duke refuzuar t’i japin me qera (është e drejta e tyre, po duhet të paguajnë njësoj siç po bëjnë në disa vende të tjera të Europës që po përballen me koston e rritur të apartamenteve); një super-taksë prone për vilat në bregdet, edhe ata duhet të paguajnë më shumë për pronën e tyre dhe një çmim i shumëfishuar për ujin e pishinave.”
Por nëse Rama kërkon të numërojë apartamentet e shqiptarëve, le të fillojë duke shpjeguar si do të trajtohen pasuritë e njerëzve që kanë qeverisur përkrah tij.
Po për 300 apartamentet e Ballukut a do të ketë taksë? Po dy vilat luksoze në Dhërmi dhe Palasë? Po qindra pronat e ministrave, deputetëve, kryebashkiakëve dhe familjarëve të tyre?
Nëse shteti pretendon se do të identifikojë çdo banesë bosh, atëherë duhet të jetë në gjendje të identifikojë edhe pronarët realë të vilave luksoze, apartamenteve të regjistruara në emra të tretësh dhe pasurive të kontrolluara përmes kompanive. Përndryshe, supertaksa mund të përfundojë si një tjetër barrë e lehtë për t’u mbledhur nga qytetarët dhe e vështirë për t’u zbatuar ndaj të pushtetshmëve.
Premtonte kredi për të rinjtë, tani nxjerr faturën e re
Vetëm shtatë ditë përpara paralajmërimit për supertaksën, Rama premtoi 2 mijë kredi me interes zero dhe 2 mijë kredi të tjera me interes 3% për kategori të caktuara, përfshirë të rinjtë dhe familjet e reja.
“0 % interes. E paguan qeveria”, deklaroi ai.
Kryeministri që promovon prej vitesh blerjen e banesave përmes kredive të subvencionuara, tani njofton një detyrim të ri për pronarët që i mbajnë apartamentet bosh.
Ndërkohë, shumë të rinj vazhdojnë të përballen me çmime banesash që nuk përputhen me të ardhurat e tyre. Premtimet për kredi nuk e kanë zhdukur krizën e përballueshmërisë së strehimit.
Rama nuk ka shpjeguar se çfarë rezultatesh kanë dhënë politikat e tij për strehimin, përpara se të propozojë një tjetër ndërhyrje fiskale në të njëjtin treg.
Kullat morën leje, banesat u shtrenjtuan, tani taksohen pronarët
Vetëm gjatë vitit 2025, në Shqipëri u miratuan 1,158 leje për ndërtesa të reja, nga të cilat 890 për banim. Censi i vitit 2023 kishte regjistruar 52,871 banesa të pabanuara në Bashkinë e Tiranës.
Këto shifra nuk u krijuan brenda natës. Për vite me radhë, institucionet miratuan ndërtime të reja, ndërsa kryeqyteti ndryshonte nga themelet dhe çmimet e apartamenteve ngjiteshin.
Shteti nuk ishte spektator. Ai miratoi planet, dha lejet dhe përcaktoi rregullat e zhvillimit urban.
Tani kryeministri flet për taksimin e banesave bosh, por nuk shpjegon përse qeveria nuk e trajtoi më herët problemin e tyre, përpara se të vazhdonte zgjerimi i ndërtimeve.
Përse barra e korrigjimit të tregut duhet të nisë nga xhepi i pronarit, ndërsa përgjegjësia e institucioneve për politikat e ndërtimit mbetet jashtë diskutimit?
Emigrantët, nga investitorë të mirëpritur në pagues të mundshëm të supertaksës
Për emigrantët shqiptarë, kjo masë ngre një problem edhe më të rëndë.
Një familje që ka punuar njëzet apo tridhjetë vjet jashtë vendit për të blerë një apartament në Shqipëri, mund ta mbajë atë bosh për pjesën më të madhe të vitit. Jo sepse po spekulon me tregun, por sepse aty kthehet për pushime, mban lidhjet me familjen ose planifikon të jetojë pas pensionit.
Nëse qeveria nuk parashikon përjashtime, këto familje mund të përballen me një detyrim të ri për shtëpitë e tyre.
Rama u kërkon emigrantëve të investojnë në Shqipëri, por do t’i taksojë më shumë pikërisht sepse nuk banojnë këtu.
Një politikë e tillë, nëse zbatohet pa dallim, do të krijonte një pengesë të re për shqiptarët që përpiqen të ruajnë një pronë në atdhe. Dhe kjo në një vend që ka humbur një pjesë të madhe të popullsisë nga emigracioni.
Nga Balluku te ministrat e tjerë: kush do t’ua numërojë pronat pushtetarëve?
SPAK ka sekuestruar dy vila luksoze në Dhërmi dhe Palasë, të lidhura nga hetimi me Belinda Ballukun. Për ish-zëvendëskryeministren janë ngritur gjithashtu akuza për korrupsion në procedura tenderimi, ndërsa çështja e pasurive të saj ka qenë objekt debatesh të forta publike.
Kjo nuk është një çështje që Rama mund ta anashkalojë kur flet për taksimin e vilave luksoze.
Nëse një apartament bosh do të sjellë taksë shtesë, si do të trajtohen pronat e fshehura pas emrave të tjerë? Si do të veprohet kur pronari real dyshohet se është një zyrtar i lartë? A do të ketë kontrolle të posaçme për kompanitë që zotërojnë shumë apartamente dhe për pasuritë e familjarëve të pushtetarëve?
Nuk mund të shpallësh një luftë fiskale kundër apartamenteve bosh dhe të mos shpjegosh se si do të veprosh me pasuritë e fshehura që po zbulohen në dosjet e korrupsionit.
Rama kërkon një supertaksë për pronarët, por shqiptarët kanë të drejtë t’i kërkojnë fillimisht një bilanc të politikave të tij: kreditë e premtuara, lejet e ndërtimit, çmimet e banesave dhe kontrollin e pasurive të zyrtarëve.
Nëse Rama kërkon t’i numërojë shqiptarëve shtëpitë, le të tregojë më parë se si do t’ua numërojë vilat, apartamentet dhe pasuritë njerëzve të pushtetit.