Kroacia bllokon fiq me toksina kancerogjene dhe speca me pesticide, AKU pa sqarim

Sipas njoftimeve të publikuara më 26 tetor në Sistemin Evropian të Alarmit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshët (RASFF), ngarkesa me fiq të thatë nga Shqipëria ka rezultuar me një përqendrim të aflatoksinave totale 375% mbi kufirin e lejuar.
Kufiri maksimal i përcaktuar për këto toksina është 10 mikrogramë për kilogram, ndërsa analizat laboratorike kanë evidentuar 47,5 mikrogramë për kilogram.
Situata rezulton edhe më shqetësuese për aflatoksinën B1, një toksinë e prodhuar nga disa lloje myku, e njohur për vetitë e saj kancerogjene dhe lidhjen me rritjen e rrezikut të kancerit të mëlçisë.
Në ngarkesën e kontrolluar, përqendrimi i aflatoksinës B1 ka arritur në 36,9 mikrogramë për kilogram, përballë kufirit maksimal prej 6 mikrogramësh për kilogram. Kjo përfaqëson një tejkalim prej 515% të normës së lejuar.
Për shkak të këtyre rezultateve, autoritetet kroate kanë vendosur asgjësimin e ngarkesës me fiq të thatë.
Por fiqtë nuk janë produktet e vetme shqiptare që kanë rezultuar problematike gjatë kontrolleve kufitare në Kroaci.
Një tjetër ngarkesë, këtë herë me speca të kuq, është bllokuar pas zbulimit të mbetjeve të pesticidit chlorfenapyr, një substancë që përdoret kundër insekteve dhe dëmtuesve të kulturave bujqësore.
Analizat kanë evidentuar një përqendrim prej 0,052 miligramësh për kilogram, ndërkohë që kufiri maksimal i lejuar është 0,01 miligramë për kilogram. Sipas këtyre rezultateve, niveli i pesticidit ka tejkaluar normën me 420%.
Të dyja rastet janë identifikuar gjatë kontrolleve në kufirin kroat dhe janë regjistruar në sistemin evropian RASFF, i cili shërben për shkëmbimin e informacionit mbi rreziqet që lidhen me sigurinë ushqimore.
Produktet bllokohen në Kroaci, por çfarë kontrollon AKU në Shqipëri?
Përtej bllokimit të dy ngarkesave, çështja ngre pikëpyetje mbi funksionimin e kontrolleve të sigurisë ushqimore në Shqipëri dhe përgjegjësinë e institucioneve që duhet të garantojnë respektimin e standardeve.
Deri më tani, nuk është bërë publik një sqarim nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) mbi verifikimet e kryera për këto dy raste, origjinën e produkteve, subjektet eksportuese apo masat e mundshme administrative.
Gjithashtu, mbetet e paqartë se çfarë vendimi është marrë për ngarkesën me speca të kuq, ndërsa për fiqtë e thatë autoritetet kroate kanë vendosur asgjësimin.
Një tjetër çështje që kërkon përgjigje është nëse autoritetet shqiptare kanë kryer kontrolle të mëtejshme te prodhuesit dhe subjektet përkatëse për të përcaktuar nëse produkte nga të njëjtat parti janë shpërndarë edhe në tregun vendas.
Fakti që dy ngarkesa shqiptare janë konstatuar me substanca të rrezikshme mbi kufijtë e lejuar në Kroaci nuk provon se të njëjtat produkte ndodhen në tregun shqiptar. Megjithatë, ai e bën të domosdoshëm një sqarim publik nga AKU, institucioni që çdo herë hesht duke mos ushtruar detyrën dhe duke vendosur në rrezik jetën e secilit prej nesh.
Nëse kontrollet në kufijtë e Bashkimit Evropian zbulojnë nivele të tilla të toksinave dhe pesticideve në produktet shqiptare, pyetja që mbetet pa përgjigje është se çfarë garancish ofrojnë institucionet përgjegjëse për ushqimet që konsumohen çdo ditë nga qytetarët në Shqipëri.