Skip to content
Kryesore

“Ka shpëtuar syrin e djalit”/ U plagos në sy nga plumbi i gomës gjatë protestës, Erjon Vishkulli operohet me sukses në Romë

· 2 min lexim

Një lajm i mirë vjen nga Roma për Erjon Vishkullin, 28-vjeçarin nga Elbasani që mbeti i plagosur rëndë në syrin e majtë, pasi u godit me plumb gome nga policia gjatë protestës studentore të 24 tetorit në Tiranë.

I riu ka kaluar me sukses ndërhyrjen kirurgjikale në klinikën prestigjioze “Gemelli” në Romë, ku mjekët kanë arritur t’i shpëtojnë syrin e dëmtuar.

Lajmi është konfirmuar edhe nga ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, e cila njoftoi se operacioni u krye nga profesori Stanislao Rizzo. “Erjon Vishkulli e ka kaluar me sukses ndërhyrjen kirurgjikale në klinikën ‘Gemelli’ në Romë, e cila e ka shpëtuar syrin e djalit”, shkruan ajo.

Megjithatë, pavarësisht suksesit të operacionit, rikthimi i shikimit mbetet ende i pasigurt. Erjoni do të ketë nevojë për trajtim të mëtejshëm, ndjekje të vazhdueshme mjekësore dhe një proces të kujdesshëm rikuperimi.

28-vjeçari fillimisht mori ndihmën mjekësore në Shqipëri, por për shkak të dëmtimit të rëndë në sy u transferua drejt Italisë për trajtim të specializuar.

Ndërhyrja e suksesshme përbën një zhvillim të rëndësishëm për të riun dhe familjen e tij, ndërsa mbetet për t’u parë nëse ai do të arrijë ta rifitojë plotësisht shikimin në syrin e dëmtuar.