Skip to content
Kryesore

“Rama e kapi drejtësinë që te vettingu”/ Ahmetaj: Futi njerëzit e tij dhe motrën e Ballukut në proces, sot kontrollon segmente të SPAK-ut

· 4 min lexim

Arben Ahmetaj akuzon Edi Ramën se deformimi i reformës në drejtësi nisi që në procesin e vettingut, të cilin ish-zëvendëskryeministri pretendon se e konsideronte fillimisht një “mision kombëtar”. Sipas tij, vettingu u zhvillua nën “kujdestarinë politike” të Ramës, ndërsa në proces ai evidenton tre lidhje që i cilëson politike dhe familjare: një ish-këshilltare të kryeministrit, motrën e Belinda Ballukut dhe vajzën e një miku të hershëm të Ramës.

Ahmetaj e shtrin akuzën deri te SPAK-u dhe pjesë të tjera të sistemit të drejtësisë, për të cilat pretendon se kanë deformuar rendin kushtetues dhe veprojnë në mënyrë selektive.

Ish-zëvendëskryeministri kujtoi se ishte ndër ata që e votuan reformën në drejtësi dhe se në atë kohë besonte te domosdoshmëria e saj.

“Thashë, do të ketë prokurorë dhe gjyqtarë që nuk do të bëjnë, ashtu siç nuk duhet ta bëjnë, dominionin e Zotit, po do të bëjnë gjyqtarin dhe prokurorin me përgjegjësi publike dhe nuk do ta quajnë si punë të zakonshme, por do ta quajnë si mision kombëtar. Është e drejta ime të kem besim dhe shpresë.”

Por sipas Ahmetajt, deformimi i sistemit nisi shumë më herët nga sa ai kishte menduar.

“Dhe unë kam qenë i bindur që të votoja drejtësinë e re ishte mision kombëtar. Sigurisht që i kam kërkuar dhe falje publikut për besimin tim ndaj kreut të organizatës. Nuk e mendoja kurrë, me të qenit i sinqertë, që deformimi do të fillonte që nga vetingu.”

Më pas Ahmetaj artikuloi akuzën e tij më të drejtpërdrejtë ndaj procesit.

“Shqiptarët duhet ta dinë, vetingu është bërë nën kujdestari politike të kreut të organizatës. Dhe kanë qenë tre personazhe kryesorë në veting. Një, këshilltarja e kryeministrit që nga zyrat e kryeministrisë shkoi në veting; dy, motra e plaçkitëses, motra e Belinda Ballukut; dhe vajza e një miku të hershëm të kreut të organizatës.”

Me “kreun e organizatës”, Ahmetaj i referohet Edi Ramës.

Sipas tij, problemi nuk qëndron vetëm te lidhjet që ai pretendon se ekzistonin mes politikës dhe njerëzve të përfshirë në vetting, por edhe te standardet e ndryshme që, sipas tij, janë përdorur ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Dhe kam sjellë shembuj se si, për të njëjtat episode dhe fenomene, dikush është skualifikuar nga. Ekzaktësisht. Është nepotizëm politik dhe familjar i drejtpërdrejtë. Në ç’vend të botës ndodh kjo? Dhe pastaj gjejmë ndonjë fletë-raporti ku i referohen pseudo-reformës si sukses.”

Ahmetaj e vazhdoi denoncimin duke e zhvendosur vëmendjen te SPAK-u dhe pjesë të tjera të sistemit aktual të drejtësisë.

“Segmente të SPAK-ut dhe segmente të drejtësisë kanë përmbysur rendin kushtetues në pseudo-drejtësi. E kam thënë që Aranit Çela do t’i kishte zili me sjelljet, shkeljet, brutalitetin dhe daljen nga ligji që kanë bërë segmente të SPAK-ut dhe të drejtësisë.”

Në një tjetër pjesë të intervistës, Ahmetaj pretendoi se segmente të SPAK-ut ndodhen “nën kontroll”, duke marrë si shembull edhe atë që ai thotë se ka ndodhur me një kantinë verërash me vlerë mbi 3 milionë euro.

“Gjithë kantina e verërave si u zhduk? Nuk dinte gjë SPAK, nuk dinte gjë policia? Tani do zhdukin dhe peshkun e kuq? Si zhdukeshkan 3 mln euro e kusur euro verë? Segmente të SPAK janë nën kontroll.”

Pavarësisht kritikave të ashpra ndaj mënyrës se si funksionojnë pjesë të drejtësisë, Ahmetaj deklaroi se vazhdon të ketë besim te Shtetet e Bashkuara dhe vendet anëtare që kanë mbështetur reformën, ndërsa shpresën për korrigjimin e sistemit e vendos edhe te Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë.

“Unë sot prapë përsëri kam besim tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tek vendet anëtare, e theksoj, tek vendet anëtare. Dhe zoti Peka, po të shtoj, shpresoj dhe kam besim që edhe Gjykata Kushtetuese, si niveli më i lartë, dhe Gjykata e Lartë kanë mundësi, dhe unë kam shpresë, të rivendosin rendin kushtetues në drejtësi.”

Akuzat e Ahmetajt për ndikim politik mbi vettingun dhe kontroll mbi segmente të SPAK-ut janë pretendime të tij dhe nuk provohen vetëm nga deklaratat e bëra në intervistë.

Por ish-zëvendëskryeministri, i cili dikur votoi vetë reformën, tashmë ngre një akuzë shumë më të gjerë: sipas tij, problemi nuk nisi te dosja e tij dhe as vetëm te SPAK-u, por që në themel të sistemit të ri, me një proces vettingu që ai pretendon se u zhvillua nën kujdestarinë politike të Edi Ramës.