Skip to content
Kryesore

“Rama e ka kthyer Shqipërinë në diktaturë”/ Media franceze: Dosja Balluku dhe akuzat për korrupsion ndezin revoltën

· 3 min lexim

Protestat kundër qeverisë së Edi Ramës në Shqipëri kanë tërhequr vëmendjen e medias franceze “La Relève et La Peste”, e cila në një artikull të gazetares Chloe Droulez trajton zgjerimin e lëvizjes së njohur si “Revolucioni i flamingove”, akuzat për korrupsion, hetimet ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe përplasjet mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit.

Në shkrim, media franceze sjell dëshmi të qytetarëve shqiptarë që akuzojnë kryeministrin për përqendrim të pushtetit dhe krijimin e një sistemi oligarkik, ndërsa përshkruan se si një protestë e nisur për mbrojtjen e mjedisit është shndërruar në një revoltë më të gjerë politike, ekonomike dhe sociale.

“Edi Rama e ka shndërruar këtë vend në një diktaturë. Sot jetojmë në një oligarki, ku njerëzit e afërt me të janë bërë miliarderë, ndërsa populli nuk arrin dot as të mbyllë muajin.”, është dëshmia e një studenteje shqiptare, e cituar nga media franceze.

Lëvizja nisi si kundërshtim ndaj një projekti turistik luksoz në ishullin e Sazanit dhe zonën e Vjosë-Nartës. Projekti, me një vlerë të përllogaritur prej rreth 1.4 miliardë eurosh dhe i lidhur me kompaninë Affinity Partners të Jared Kushner, ka ngritur shqetësime për ndikimin në zonat e mbrojtura natyrore dhe lidhjet mes vendimmarrjes politike dhe interesave private.

Megjithatë, sipas artikullit, protestat morën një tjetër përmasë në mesin e tetorit, kur mijëra studentë dhe nxënës të shkollave të mesme iu bashkuan mobilizimit.

Kërkesat e tyre nuk kufizoheshin më te mbrojtja e mjedisit, por përfshinin tarifat e studimit, kushtet në universitete, problemet në sistemin shëndetësor, rritjen e kostos së jetesës dhe mungesën e perspektivës për punësim.

Një vend të rëndësishëm në artikull zë edhe çështja e Belinda Ballukut dhe hetimet e SPAK-ut. Media franceze përmend akuzat që lidhen me kontrata publike me vlerë mbi 200 milionë euro, të cilat ish-zëvendëskryeministrja i kundërshton.

Sipas analizës së publikuar, kjo dosje është kthyer në një nga çështjet që kanë nxitur pakënaqësinë qytetare ndaj qeverisë dhe institucioneve shtetërore, duke e vendosur korrupsionin në qendër të protestave.

Artikulli trajton gjithashtu përplasjet mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit, duke iu referuar dëshmive për përdorim të dhunës dhe ndalime që organizatorët i kanë kundërshtuar si të paligjshme.

Në këtë kontekst, media franceze përmend edhe kallëzimin e depozituar në SPAK nga organizata të shoqërisë civile, avokatë dhe qytetarë, përmes të cilit kërkohet hetimi i më shumë se 180 rasteve të pretenduara të veprimeve të paligjshme.

Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama ka refuzuar kërkesat për dorëheqje, ndërsa ka përsëritur ftesën për dialog me studentët. Sipas artikullit, kjo ftesë nuk është pranuar deri tani nga protestuesit.

Media franceze ndalet edhe te masat e reja të propozuara nga qeveria për përgjegjësinë financiare të personave që shkaktojnë dëme gjatë protestave, duke i krahasuar ato me modelin francez të njohur si “casseurs-payeurs”, sipas të cilit autorët e dëmeve mbajnë përgjegjësi financiare.

Në përfundim, “La Relève et La Peste” e paraqet “Revolucionin e flamingove” si një lëvizje që ka tejkaluar kauzën fillestare mjedisore dhe është shndërruar në një mobilizim kundër qeverisë Rama, ku kërkesat për transparencë, përgjegjshmëri institucionale dhe përmirësim të kushteve të jetesës janë bashkuar me pakënaqësinë ndaj korrupsionit dhe mënyrës së ushtrimit të pushtetit.