Skip to content
Kryesore

Sateliti i NASA-s pritet të bjerë sot në Tokë pas 22 vitesh, ku rrezikojnë të bien mbetjet?

· 2 min lexim

Pas gati 22 vitesh në hapësirë, sateliti i NASA-s “Neil Gehrels Swift” pritet të rikthehet në atmosferën e Tokës këtë të mërkurë, më 4 nëntor 2026. Rikthimi i tij ka ngritur pikëpyetje për rrezikun që mund të paraqesin mbetjet e satelitit, pasi disa pjesë të tij mund të mos digjen plotësisht gjatë hyrjes në atmosferë.

Sipas të dhënave të publikuara nga NASA dhe vlerësimeve të Forcave Hapësinore Amerikane, rihyrja parashikohet të ndodhë gjatë ditës së sotme, megjithëse llogaritjet shoqërohen me një marzh pasigurie prej rreth 11 orësh.

Gjatë kalimit në atmosferë, pjesa më e madhe e satelitit pritet të shkatërrohet nga temperaturat ekstreme. Megjithatë, disa komponentë më rezistentë mund t’i mbijetojnë nxehtësisë dhe të arrijnë deri në sipërfaqen e Tokës.

Ku mund të bien mbetjet e satelitit?

Sipas parashikimeve të paraqitura, mbetjet mund të përfundojnë në brezin gjeografik ndërmjet 20.6 gradëve gjerësi veriore dhe 20.6 gradëve gjerësi jugore, një zonë që përfshin kryesisht rajonet tropikale të planetit.

Në këtë brez përfshihen edhe pjesë të Hawait dhe Porto Rikos, krahas territoreve të tjera tropikale. Megjithatë, vendndodhja e saktë e rënies së mundshme të mbetjeve mbetet e pasigurt.

A ka rrezik për njerëzit?

Pavarësisht shqetësimeve që mund të shkaktojë rikthimi i pakontrolluar i një objekti hapësinor, vlerësimet e cituara në raportim e konsiderojnë të ulët mundësinë që mbetjet të godasin një person, duke e përllogaritur rrezikun në rreth 1 në 2,100.

Observatori hapësinor “Neil Gehrels Swift” u lëshua në vitin 2004 dhe fillimisht ishte projektuar për një mision vetëm dyvjeçar. Megjithatë, ai arriti të qëndronte në funksion për më shumë se dy dekada, duke tejkaluar ndjeshëm jetëgjatësinë e planifikuar.

I pajisur me tre teleskopë, sateliti ka luajtur një rol të rëndësishëm në studimin e shpërthimeve të rrezeve gama, ndër fenomenet më energjike të universit. Ai ka vëzhguar gjithashtu galaktika aktive, vrima të zeza supermasive dhe shpërthime të rrezeve X nga yjet e largët.

Gjatë misionit, observatori ka monitoruar edhe asteroidë e kometa në sistemin diellor, duke kontribuar në koordinimin e kërkimeve astronomike ndërkombëtare.

Edhe pas përfundimit të misionit, të dhënat shkencore të mbledhura gjatë këtyre 22 viteve pritet të vazhdojnë të përdoren nga studiuesit për të kuptuar më mirë fenomenet e universit.