Skip to content
Kryesore

Ndërroi jetë pasi e kafshoi ariu, kthesë në hetimet për 53-vjeçarin në Bulqizë: Dyshime për vrasje me armë zjarri

· 2 min lexim

Vdekja e 53-vjeçarit Urim Fiku në Bulqizë ka marrë një tjetër drejtim, pasi policia ka ngritur dyshime se ai mund të jetë vrarë me armë zjarri dhe jo nga sulmi i një ariu, siç deklaruan fillimisht familjarët e tij.

Ngjarja u raportua një ditë më parë, më 3 nëntor, kur familjarët kërkuan ndihmë mjekësore, duke pretenduar se 53-vjeçari ishte sulmuar dhe kafshuar nga një kafshë e egër.

Megjithatë, nga konstatimet paraprake në trupin e viktimës dyshohet se është evidentuar një plagë që mund të jetë shkaktuar nga një predhë arme zjarri. Ky zbulim ka bërë që hetuesit të ndryshojnë pistën fillestare dhe të përqendrohen te dyshimet për një vrasje të mundshme.

Policia ka nisur shoqërimin e disa personave që mund të kenë dijeni për ngjarjen dhe rrethanat në të cilat 53-vjeçari humbi jetën.

Në njoftimin e një dite më parë, Policia e Bulqizës deklaronte:

“Rreth orës 14:10 të ditës së sotme, Spitali i Bulqizës ka njoftuar Sallën Operative të Komisariatit të Policisë Bulqizë se familjarët e shtetasit U. F., rreth 53 vjeç, kishin kërkuar ndihmë mjekësore, pasi ky i fundit dyshohet se ishte sulmuar dhe kafshuar nga një kafshë e egër (ari).

Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ku kanë konstatuar se 53-vjeçari kishte humbur jetën.

Trupi i pajetë i shtetasit U. F. është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminime të mëtejshme”.

Pritet që ekzaminimet mjekoligjore të ndihmojnë në përcaktimin e shkakut të vdekjes, ndërsa hetimet vijojnë për të sqaruar rrethanat e ngjarjes dhe për të verifikuar dyshimet për vrasje.