Një investigim i emisionit italian “Presa Diretta” në RAI 3 hedh dritë mbi lidhjet mes sektorit të ndërtimit në Shqipëri dhe pastrimit të parave të krimit të organizuar, duke sjellë dëshmi nga ekspertë dhe prokurorë të SPAK për depërtimin e kapitaleve të drogës në ekonomi dhe institucione.
Në janar 2026, Tirana paraqitet si një qytet në zhvillim të shpejtë, me kantiere ndërtimi të shpërndara në çdo cep. Megjithatë, sipas hetimeve të përbashkëta të magjistratëve italianë dhe shqiptarë, kjo panoramë moderne fsheh një realitet tjetër, të lidhur me burime të dyshimta financiare.
Ekonomisti Pano Soko sjell një shembull konkret për të ilustruar atë që e cilëson si paradoks ekonomik. Për projekte që kërkojnë investime prej rreth 100 milionë eurosh, ai thekson se ekonomia zyrtare shqiptare nuk ka kapacitetin për t’i përballuar. “Në Shqipëri, paga mesatare është rreth 800 euro. Të gjitha shkojnë për ushqim dhe shpenzime mujore; nuk ka hapësirë për të kursyer e më pas për të riinvestuar”, shprehet ai, duke folur pranë kantierit të “Exposita Building” në qendër të Tiranës.
Sipas investigimit, djali i sipërmarrësit që zhvillon këtë projekt është në kërkim nga SPAK për trafik droge, ndërsa kantieri paraqitet si shembull i një biznesi të madh që ushqehet nga kapitalet e paligjshme. Paratë, sipas ekspertëve, kanalizohen në ndërtimin e godinave dhe apartamenteve, duke u kthyer në investime që synojnë ruajtjen ose rritjen e vlerës.
Fenomeni nuk kufizohet vetëm në Tiranë. Qytete si Durrësi dhe Shkodra përmenden si zona ku zhvillimi urban është nxitur nga riciklimi i parave të pista në sektorin e ndërtimit.
Drejtori i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, Zef Preçi, thekson përmasat e këtij fenomeni. “Ekonomia jonë është e vogël, me një PBB vjetore rreth 25 miliardë euro. Në 5-6 vitet e fundit, kemi konstatuar se 4.7 miliardë euro qarkullojnë jashtë kanaleve bankare”, shprehet ai. Sipas tij, kjo tregon një nivel të lartë të injektimit të parave të pista në ekonomi.
Preçi shton se ndërtimi është sektori më i dukshëm ku këto para investohen, shpesh pa lidhje me kërkesën reale të tregut. Në 15 vitet e fundit, popullsia e Tiranës është rritur vetëm me rreth 1.000 banorë, ndërsa numri i ndërtimeve ka njohur rritje të ndjeshme. Ai thekson gjithashtu se mbi 60 kompani që investojnë në këtë sektor nuk kanë përvojë të mëparshme në ndërtim dhe, në disa raste, kompani me xhiro 1 milion euro ndërmarrin projekte që arrijnë në 50-70 milionë euro.
Gazetarja investigative Lindita Çela, drejtore e medias “Shtegu”, ka analizuar lejet e ndërtimit dhe lidhjet mes kompanive dhe aktorëve politikë apo individëve të përfshirë në krimin e organizuar. “Sot, e gjithë administrata, deri në nivelet më të larta, është e përfshirë në korrupsion. Kemi dy zëvendëskryeministra nën akuzë, një kryebashkiak të arrestuar dhe dhjetëra drejtorë nën hetim për korrupsion dhe pastrim parash”, deklaron ajo.
Prokurori i SPAK, Vladimir Mara, konfirmon bashkëpunimin mes elementëve kriminalë dhe segmenteve të institucioneve. “Këto grupe janë shumë të organizuara në trafikun e drogës, me shtrirje evropiane dhe njohuri të larta teknologjike, të fokusuara te fitimi i shpejtë”, thekson ai.
Në fokus të investigimit është edhe qyteti i Durrësit, i përshkruar si një zonë kyçe për aktivitetet kriminale dhe ndërtimet luksoze. Sipas raportit, ky qytet konsiderohet si “feudi” i Gëzim Troplinit, i njohur si Poja, një figurë e lidhur me kontrollin e portit dhe trafikun e drogës.
Porti i Durrësit paraqitet si një pikë strategjike për hyrjen e kokainës në Evropë. Sipas investigimit, kontrolli mbi këtë port ka qenë objekt konfliktesh të dhunshme mes grupeve kriminale, ndërsa Troplini dyshohet se ka arritur të konsolidojë ndikimin e tij dhe të krijojë lidhje politike.
Ish-presidenti dhe ish-kryeministri Sali Berisha, aktualisht në gjykim për korrupsion, deklaron: “Porti i Durrësit është një port i lirë për kokainën dhe drogat. Ai administrohet tërësisht nga karteli Troplini, më i fuqishmi në Shqipëri, me lidhje të ngushta në Amerikën Latine dhe Itali. Këta kriminelë vendosin për ministrat dhe deputetët”.
Sipas tij, Shqipëria përballet me një rrezik të lartë për sigurinë evropiane, duke u shndërruar në një shtet ku ndikimi i krimit të organizuar është i pranishëm në nivele të ndryshme të jetës ekonomike dhe politike.







