Qytetari zëvendësoi studion televizive: pushteti nuk kontrollon më të vërtetën

Suksesi më i madh i protestës nuk është vetëm dalja në shesh. Është fakti që shqiptarët po zgjohen më shpejt se gazetarët që u kanë zënë ekranet.
Për vite me radhë, pushteti dhe media e kapur ndërtuan të njëjtin model: qytetari shihte, të tjerët i shpjegonin çfarë kishte parë.
Në studio, të njëjtët analistë, të njëjtat justifikime dhe të njëjtat narrativa. Skandali quhej debat. Vjedhja quhej procedurë. Propaganda quhej analizë.
Qytetari ishte spektator.
Sot kjo ka ndryshuar.
Qytetari nuk pret më emisionin e mbrëmjes për të kuptuar çfarë ndodhi. Hap telefonin, lexon dokumentin, sheh videon, krahason deklaratat, kontrollon faktet dhe nxjerr vetë përfundimin.
Teknologjia ia hoqi portën nga dora atyre që e kontrollonin informacionin.
Për herë të parë pas shumë vitesh, pushteti nuk ka më monopolin e informacionit.
Dhe kjo është arma më e fortë që kanë sot qytetarët.
Sepse një qeveri mund të blejë ekrane, mund të ushqejë media, mund të paguajë analistë dhe propagandë. Por nuk mund të kontrollojë informacionin e shpejtë dhe të pangjyrosur në duart e qytetarëve.
Ata e shohin kush firmos, kush përfiton, kush hesht dhe kush del ta mbrojë pushtetin. E lidhin vetë ngjarjen me dokumentin, dokumentin me kontratën, kontratën me emrin dhe emrin me përfitimin.
Kjo është arsyeja pse propaganda nuk funksionon më si dikur.
Protesta nuk ka zgjuar vetëm njerëz që dalin në shesh.
Ka zgjuar qytetarë që mendojnë vetë.
Pushteti është mësuar të përballet me gazetarë, analistë dhe opozita. Nuk është mësuar të përballet me një qytetar që nuk ka më nevojë për ndërmjetës.
Nuk ka më nevojë që dikush t’i tregojë të vërtetën.
E gjen vetë.
E verifikon vetë.
Dhe vepron vetë.
Kjo është arsyeja pse nuk na hedhin dot më hi syve.
Nuk na manipulojnë më si dikur.
Dhe kjo është frika më e madhe e çdo pushteti që ka jetuar duke kontrolluar informacionin.
Pushteti ka frikë sepse nuk ka më vetëm një shesh për të shpërndarë. Ka një ndërgjegje të re për të mposhtur. Dhe atë nuk e shpërndan dot me ujë, me gjoba apo me analistë të korruptuar.