Skip to content
Të Gjitha

Protestuan dje duke bllokuar rrugën, arrestohen tre banorë të tjerë të Astirit

· 2 min lexim

Policia e Tiranës ka arrestuar 3 persona, të cilët protestuan dje në zonën e Unazës së Re.

Deri më tani numri I banorëve të Astirit që janë arrestuar, ka shkuar në 6.

Arrestimi i tre protestuesve dy ditë më parë, solli irritimin e banorëve, të cilët iu drejtuan Drejtorisë së Policisë, madje duke u përplasur edhe me efektivët, ndërsa tentuan të hynin me forcë në ambjentet e brendshme.

Gjithashtu mbrëmjen e djeshme u shoqëruan 5 protestues.

Në lidhje me arrestimet reagoi edhe ish-deputeti demokrat, Klevis Balliu, i cili kërkoi dialog.

Me ndryshimet e fundit në kodin penal, bllokimi i rrugës përbën vepër penale dhe dënohet nga gjobë deri në burgim.

Kujtojmë këtu se banorët e Astirit vijojnë prej muajsh protestat, duke bllokuar rrugën çdo pasdite, situatë e cila ka krijuar trafik dhe nervozizëm te drejtuesit e mjeteve.

Njoftimi i policisë

Tiranë

Bllokojnë rrugën në zonën e Unazës së Re, në pranga tre persona.

Dy ditë më parë u arrestuan dhe tre persona të tjerë për bllokimin e rrugës në zonën e Unazës së Re.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, arrestuan në flagrancë për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e qetësisë publike” dhe Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, shtetasit:
E. F., 27 vjeç; R. D., 54 vjeç dhe T. Gj., 56 vjeç (të tre banues në rrugën “Teodor Keko” në Zonën e Unazës së Re).

Këta shtetas në rrugën “Teodor Keko” në zonën e Unazës së Re, kanë organizuar e zhvilluar një tubim të paligjshëm dhe kanë penguar qarkullimin e mjeteve të transportit rrugor në të dyja drejtimet e rrugës “Tedor Keko”.

Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë, pjesëmarrës në bllokimin e rrugës në zonën e Unazës së Re.

Me ndryshimet e reja në Kodin Penal, bllokimi i qarkullimit rrugor duke cenuar të drejtat dhe liritë themelore për lëvizjen e lirë të shtetasve dhe të mjeteve të transportit, do të përballet me pasojat e shkeljes së ligjit.