Skip to content
Kryesore

Skandali prek AKSHI-n/ Rreth 60 ndërhyrje në Gjendjen Civile për ndryshim identitetesh, hyrjet çojnë te zyrat e institucionit

· 4 min lexim

Një hetim për ndryshimin e identiteteve të personave me precedentë penalë po zgjerohet tashmë edhe drejt AKSHI-t, pasi gjurmët elektronike të disa prej ndërhyrjeve në sistemin e Gjendjes Civile rezultojnë të lidhen me infrastrukturën e përdorur nga zyrat e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit në Tiranë.

Sipas të dhënave të dosjes së Prokurorisë së Tiranës, janë evidentuar rreth 60 ndërhyrje në sistem, të cilat kanë sjellë ndryshime të të dhënave dhe identiteteve të personave të ndryshëm.

Hetuesit po kërkojnë tashmë të përcaktojnë nga cilët kompjuterë janë kryer konkretisht ndërhyrjet dhe cilët persona kanë përdorur kredencialet për të hyrë në sistem.

Javën e kaluar, grupi hetimor i Prokurorisë së Tiranës ka zhvilluar një takim me drejtorin e AKSHI-t, Igli Tafa, me qëllim ngritjen e një grupi bashkëpunimi për lokalizimin e pajisjeve nga të cilat janë kryer hyrjet dhe identifikimin e personave që qëndrojnë pas tyre.

Pra, në këtë fazë hetimi nuk ka përcaktuar ende se cilët zyrtarë të AKSHI-t mund të kenë kryer veprimet. Ajo që ka ngritur alarmin është fakti se në disa raste domenet hyrëse të evidentuara nga hetuesit rezultojnë të jenë përdorur nga zyrat e AKSHI-t.

Por dosja ka edhe një tjetër element të rëndë.

Një nga profilet e përdorura për ndërhyrjet mbante emrin e Pandeli Shirokajt, ish-punonjës i Gjendjes Civile në Horë-Vranisht.

Shirokaj kishte dalë në pension më 16 qershor 2023, por kredencialet e tij dyshohet se kanë vazhduar të përdoren në sistem edhe pas largimit nga puna.

Pra, ndërsa personi që zotëronte profilin nuk ishte më pjesë e administratës, llogaria e tij vijonte të shërbente si derë hyrëse për ndryshimin e të dhënave të qytetarëve.

Në kuadër të së njëjtës dosje, Gjykata e Tiranës ka pezulluar më herët nga detyra Aurel Kotorrin, specialist IT në strukturat e Ministrisë së Brendshme, dhe Orjola Omin, punonjëse të Gjendjes Civile pranë Njësisë Administrative nr. 3 në Tiranë.

Të dy dyshohen për përfshirje në veprime të paligjshme me të dhënat e Gjendjes Civile, ndërsa hetimi vijon.

Një nga rastet që ka ndihmuar në zbërthimin e skemës është ai i Indrit Aliut, i njohur edhe me gjeneralitetet Indrit Kolleshi dhe David Isaac, ndaj të cilit është caktuar masa “arrest në burg” dhe që është shpallur në kërkim.

Sipas dosjes, identiteti i tij ishte ndryshuar nga Indrit Kolleshi në David Isaac.

Në nëntor të vitit 2025, gjatë procedurës për riaplikim për pasaportë biometrike, ndryshimi u konstatua dhe Drejtoria e Gjendjes Civile vendosi rikthimin e gjeneraliteteve të mëparshme.

Por historia nuk përfundoi aty.

Më 13 janar 2026, në Njësinë Administrative nr. 3 në Tiranë, emri u ndryshua sërish në David Isaac, këtë herë duke u mbështetur në një dokument të paraqitur si certifikatë e Ministrisë së Brendshme të Izraelit.

Prokuroria dyshon se dokumentacioni mund të jetë i falsifikuar dhe se ndryshimi është kryer në kundërshtim me ligjin për Gjendjen Civile.

Pikërisht hetimi i rasteve të tilla duket se ka çuar prokurorët drejt një problemi shumë më të gjerë: sistemi nuk është prekur vetëm në një zyrë apo nga një përdorues, por në dhjetëra raste, përmes profileve dhe aksesesh që nuk duhej të ishin aktive.

Tashmë hetimi duhet të përcaktojë se kush fshihet pas rreth 60 ndërhyrjeve, cilët persona kanë përfituar nga ndryshimet e identitetit dhe nëse ka ekzistuar një skemë e organizuar për t’u krijuar identitete të reja personave që kishin probleme me drejtësinë.

Dhe mbi të gjitha, mbetet pyetja më e rëndë: si ishte e mundur që në një prej sistemeve më sensitive të shtetit shqiptar të ndryshoheshin identitete, të përdoreshin kredencialet e një punonjësi të dalë prej vitesh në pension dhe gjurmët elektronike të disa ndërhyrjeve të çonin deri te infrastruktura e AKSHI-t?