Protestë sot, shantazh sot, mashtrim sot: Durrësi nuk zgjidhet me dëmshpërblime nga xhepi ynë
Sot qytetarët e Durrësit dolën sërish në protestë. Janë përpara Bashkisë së Durrësit sepse uji u hyri në shtëpi, sepse humbën gjithçka dhe sepse ende nuk janë dëmshpërblyer as për përmbytjet e kaluara. Kjo protestë është e drejtë. Por ajo që po ndodh paralelisht është e rëndë dhe e rrezikshme.


Qytetarët po shantazhohen. U është thënë hapur që nëse flasin dhe nëse dalin në protestë, rrezikojnë të mos marrin dëmshpërblim. Pra shteti po i mban peng njerëzit me paratë e tyre. Me taksat e tyre. Një presion i pastër.
Është e njëjta metodë që qeveritë kanë përdorur prej vitesh. Me patronazhistët, me ndërtimet pa leje, me çdo problem social. I kanë lënë njerëzit të ndërtojnë. U kanë marrë edhe para për ato ndërtime. Pastaj i kanë goditur kur u ka ardhur radha. Sot po ndodh e njëjta gjë me përmbytjet.


Qytetarët sot kërkojnë dëmshpërblim dhe zgjidhje politike. Por politika nuk mund të lajë duart duke shpërndarë dëmshpërblime që dalin po nga xhepi i qytetarëve. Kjo nuk është zgjidhje. Është mashtrim.
E vërteta është e thjeshtë. Përmbytjet nuk ndodhin sepse bie shi. Ndodhin sepse është shkatërruar hidrovori. Ndodhin për shkak të ndërtimit mbi kënetë, mbi kolektor. Dhe hidrovori u shkatërrua për interesa private oligarkësh. Kanale u mbyllën, rrjedha u devijua dhe qyteti mbeti i pambrojtur.
Dhe tani, pasi e prishën hidrovorin për interesa private, vijnë t’u thonë qytetarëve: do ju japim dëmshpërblim. Me çfarë? Me lekët e tyre. Me taksat tona. Ndërkohë hidrovori dhe kolektorët nuk rregullohen, problemi mbetet po aty.
Kjo situatë nuk zgjidhet me para. Zgjidhet duke rregulluar kolektorët dhe hidrovorin që u prish me qëllim. Madje, kjo zgjidhje s’ka pse të vijë nga taksat e qytetarëve, por nga miliarda eurot e vjedhura që SPAK ende nuk po i konfiskon pas arrestimeve…








