Protesta zhvendoset para SPAK pas përgjimeve të Ahmetajt: Qytetarët kërkojnë hetim

Protesta e qytetarëve është zhvendosur këtë të enjte përpara ambienteve të SPAK, ku pjesëmarrësit kërkojnë reagimin e Prokurorisë së Posaçme pas audiopërgjimeve të publikuara nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj.
Me thirrjet “Drejtësi”, “Këtu vendosim ne” dhe “Dorëheqje”, protestuesit i kërkojnë SPAK të marrë në administrim materialet e bëra publike dhe të verifikojë përmbajtjen e tyre.
Tubimi vjen në vijim të zhvillimeve të ditëve të fundit pas deklaratave dhe materialeve të publikuara nga Ahmetaj, të cilat kanë shkaktuar reagime dhe kanë rikthyer kërkesat që institucionet e drejtësisë të veprojnë.
Këtë herë, presioni i protestuesve është përqendruar drejtpërdrejt te SPAK. Qytetarët kërkojnë që akuzat dhe audiopërgjimet të mos mbeten vetëm pjesë e debatit publik, por të verifikohen nga organi që ka kompetencën për të hetuar zyrtarët e lartë dhe çështjet që lidhen me korrupsionin.
Protestuesit vijojnë të qëndrojnë përpara Prokurorisë së Posaçme, duke kërkuar drejtësi dhe reagim institucional ndaj materialeve të publikuara.