Qyteti i Vlorës po përballet prej disa ditësh me mungesë të plotë të ujit të pijshëm, duke e përshkallëzuar ndjeshëm tensionin qytetar, sidomos në prag të festave të fundvitit. Banorët janë mbledhur sërish para Bashkisë së Vlorës, ku kanë shprehur hapur revoltën ndaj institucioneve përgjegjëse, të cilat sipas tyre kanë dështuar të ofrojnë zgjidhje konkrete.
Në fokus të reagimeve është vendosur Drejtori i Përgjithshëm i Ujësjellës-Kanalizimeve, Flauers Shoshi, i cili ka deklaruar se pjesët e nevojshme për riparimin e defektit po vijnë nga Turqia dhe se situata pritet të normalizohet së shpejti. Kjo deklaratë nuk është pritur mirë nga qytetarët, të cilët shprehen të zhgënjyer dhe mosbesues.
“Na kanë gënjyer disa herë. Na thanë se pjesët vinin nga Selaniku, tani thonë nga Turqia. Po na mashtrojnë,” u shpreh një nga protestuesit para bashkisë.
Sipas qytetarëve, drejtori i Ujësjellësit ka qenë i pranishëm vetëm për deklarata publike dhe jo për të dhënë zgjidhje reale.
“Erdhi, foli dhe u largua. Nuk na dha asnjë afat, asnjë përgjigje konkrete. Kjo është tallje me qytetarët,” thanë ata.
Banorët e Vlorës e cilësojnë Flauers Shoshin si “hallkë të korrupsionit”, duke akuzuar se fondet janë shpërdoruar prej vitesh, ndërsa infrastruktura e ujit ka mbetur e amortizuar. Ata paralajmërojnë se situata është e papranueshme dhe se protestat do të vijojnë, madje edhe gjatë natës së Vitit të Ri, nëse mungesa e ujit nuk merr zgjidhje.







