Edhe pse në media lajmi është publikuar pa detaje mbi vendndodhjen, në fakt rasti që ka mbërritur deri në Gjykatën Europiane lidhet drejtpërdrejt me “Prestige Resort”, kompleksin turistik të Irfan Hysenbelliut në Golem. Ky resort, i ndërtuar me shkelje të lejuara nga vetë qeveria, u prish po ashtu me shkelje nga e njëjta qeveri, sapo pronarit të tij iu prishën marrëdhëniet me pushtetin.
Prishja e pjesshme e kompleksit në kulmin e sezonit veror ka shkaktuar pasoja të drejtpërdrejta për pushuesit e huaj, përfshirë turistë nga Polonia, të cilët u përballën me ditë të tëra zhurmash ndërtimi në vend të pushimeve të qeta që kishin paguar. Pas ankesave të tyre, çështja ka kaluar nga gjykatat polake në Gjykatën Europiane në Luksemburg, e cila ka vendosur një precedent të rëndësishëm në mbrojtje të të drejtave të pushuesve.
Sipas vendimit të trupës gjyqësore në Luksemburg, në rastet kur pushuesit që kanë prenotuar paketa “all inclusive” nuk marrin shërbimin e premtuar dhe pushimet kthehen në stres apo humbin vlerën e tyre, ata kanë të drejtë të kërkojnë rimbursim të plotë të shumës së paguar, edhe nëse kanë shfrytëzuar vetëm pjesërisht disa nga elementët e paketës.
Në rastin konkret, turistët polakë kishin prenotuar në një hotel me pesë yje në Shqipëri, por gjatë qëndrimit u shqetësuan nga punimet e shembjes së pishinës, të urdhëruara nga autoritetet shqiptare. Për disa ditë ata u përballën me zhurma intensive, radhë të gjata për ushqim dhe reduktim të shërbimeve. Në fund të qëndrimit, nisën edhe punime për zgjerimin e objektit, duke e kthyer pushimin në një përvojë të lodhshme.
Gjykata Europiane vlerëson se zhdëmtimi i plotë i pushuesve është në përputhje me ligjin e BE-së, ndërsa përgjegjësia e operatorit turistik varet nga fakti nëse ai ose menaxhimi i hotelit kanë qenë të informuar për procedurat e autoriteteve shqiptare që urdhëruan shembjen. Çështja tani i kthehet sistemit gjyqësor polak për vendimin përfundimtar.
Ky rast ekspozon një tjetër pasojë të përplasjeve mes biznesit dhe politikës në Shqipëri, ku një konflikt i brendshëm për leje ndërtimi dhe interesa ekonomike përfundon duke dëmtuar imazhin e turizmit shqiptar dhe duke prodhuar çështje ligjore në nivel europian.








