Skip to content
Aktualitet

Policia me “dorë të hekurt”, ja sa qytetarë u gjobitën sot për mosvendosjen e maskës

· 2 min lexim

Qytetarët shqiptarë vazhdojnë të mos respektojnë masat anti-Covid. Gjatë 48 orëve të fundit janë gjobitur mbi 1672 persona pasi u konstatuan pa maskë. Policia njofton se janë ndëshkuar edhe 9 persona që janë konstatuar duke ecur në rrugë gjatë orës policore.

Gjatë 48 orëve të fundit, Patrullat e Përgjithshme kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 3.000 lekë, 1451 shtetas që janë konstatuar pa maskat mbrojtëse.

Shërbimet e Policisë Rrugore kanë ndëshkuar me të njëjtën masë administrative, 221 shtetas që udhëtonin në mjete private me persona me të cilët nuk kishin lidhje familjare apo në mjetet e transportit publik, pa vendosur maskat mbrojtëse.

Gjithashtu janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 9 shtetas që janë konstatuar duke lëvizur në këmbë pas orës 20:00.

Në zbatim të masave anticovid, Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve që të respektojnë orën policore, të vendosin maskën dhe të ruajnë distancimin social, ndërsa subjektet tregtare, lokalet dhe restorantet të respektojnë protokollet e sigurisë dhe orarin e mbylljes, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19

Kujtojmë se prej javësh tashmë shifrat e infektimeve dhe vdekjeve janë në ngritje. Në 24 orët e fundit në vend u shënuan 21 vdekje.

Të infektuar me Covid-19 u shënuan 851 raste të reja, ndërsa të shëruar   janë 903 qytetarë.

Testimet ditore kanë qenë në shifrat 3149, ndërsa testimet totale janë 476.017 në një vit pandemi. Ndërsa rastet e shëruara gjatë një viti janë 72.076 dhe pozitive 109.674.