Skip to content
Të Gjitha

Policia i sekuestroi 500 mijë euro në kamion, shoferi: Nuk e di kush i vendosi paratë!

· 1 min lexim

Ditën e sotme policia e Durrësit ndaloi një kamion me gjithsej 498.850 euro.

Mësohet se në pranga është vënë drejtuesi i kamionit Andon Thanasi, 56 vjeç, që po bënte transportimin e parave.

Në urën lidhëse të kamionit dhe rimorkios, pas skanimit dhe kontrollit u gjetën të fshehura disa pako të mbështjella, brenda të cilave kishte vlera monetare në euro, të padeklaruara.

Drejtuesi i kamionit, Andon Thanasi akuzohet për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.

Mësohet se kamioni transportonte lëndë për prodhimin e këpucëve nga Bari, Itali drejt Shqipërisë.

Mësohet se shoferi Andon Thanasi ka mohuar që të këtë dijeni për paratë apo se kush i ka vendosur ato në kamion.

Ndërsa po ashtu u ka kërkuar oficerëve që të hapin kamerat e sigurisë në Portin e Durrësit, por edhe të kërkojnë informacion nga Italia.

Po ashtu efektivet e policisë në Durrës kanë kërkuar informacion nga autoritet italiane në lidhje më këtë çështje dhe po presin përgjigje.