Pas lajmit se në pikën kufitare të Kapshticës kishte ndaluar puna pasi ishte plotësuar kuota prej 300 personash për të kaluar kufirin, kaosi dhe tensioni te qytetarët që presin në radhë për të kaluar kufirin është rikthyer përsëri.
Në radhë ka edhe të moshuar e të mitur, por pala greke ka mbyllur sportelet që në orën 09:30.Sipas tyre ata kanë orë që presin në kufi dhe deri më tani nuk kanë kaluar as 30 veta dhe jo 300 ashtu siç pala greke ka njoftuar.
Ndërkohë një qytetar tha se tamponin nuk duhet ta bëjnë në laboratoret e licencuara por duhet të vijnë autoritetet vetë që ta bëjnë në Kapshticë.
”Nuk jemi 300 vetë ne këtu të gjithë. S’kanë kaluar më shumë se 30 veta. S’mund të kalojnë 300 për 1 orë. Kemi bërë aplikacionin. E kemi bërë me e-albania që duhet të kalojmë. E kemi bërë që në 13, sot data 16. Këtu janë nga Tepelena, Vlora e Fieri. Nuk e lemë radhën, këtu të vijnë të na i bëjnë tamponin.”- tha emigranti.
Të tjerë thanë se kanë ditë që presin në radhe dhe nuk do të largoheshin pasi duhet të rikthehen në Greqi në vendet e tyre të punës dhe shkollës për fëmijët.
Kujtojmë se nga data 17 gusht 2020, nga pika kufitare e Kakavijës do të kenë mundësi të kalojnë vetëm 750 persona në ditë, ndërsa nga ajo e Kapshticës vetëm 300 persona në ditë, në fashën orare 06:00 deri në orën 22:00, konform rregullave të vendosura nga pala greke, si pasojë e situatës së krijuar nga COVID-19.Por diçka e tillë nuk ishte parashikuar të ndodhte që ditën e sotme.