Skip to content
Rajoni

Pësoi humbje të thellë në zgjedhje, Isa Mustafa dorëhiqet nga posti i kryetarit të LDK

· 2 min lexim

Isa Mustafa nuk do të jetë më kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kështu bëjnë me dije burime pranë LDK për mediat kosovare, të cilave ai iu ka dorëzuar dorëheqjen.

Mësohet se Mustafa i ka dhënë lajmin anëtarëve që në fillim të mbledhjes së partisë. Partia e Isa Mustafës ka shënuar humbjen më të thellë në historinë e saj në zgjedhjet që u mbajtën të dielën në Kosovë.

Lidhja Demokratike e Ksoovës nuk fitoi në asnjë Komunë, madje ka pësuar humbje të thellë edhe në komuna që udhëhiqeshin nga zyrtarë të kësaj partie. Nën udhëheqjen e Isa Mustafës, LDK ka humbur çdo zgjedhje parlamentare në Kosovë, duke mos u renditur asnjëherë forcë e parë. Madje, hera e fundit kur kjo parti ka fituar zgjedhjet e përgjithshme ka qenë nën udheheqjen e Ibrahim Rugovës.

Deri tani në Kosovë janë numëruar 99.23% të votave dhe  LDK-ja renditet në vendin e tretë me 102 mijë e 959 vota apo 13,08%.
Lëvizja VetëVendosje rendite e para  dhe aktualisht numëron 376 mijë e 933 vota, apo 47,88%. Partia e Albin Kurtit ndiqet nga Partia Demokratike e Kosovës  në vend të dytë, e cila aktualisht ka marrë 136 mijë e 681 vota apo 17,36%. Zgjedhjet e së dielës në Kosovë patën një pjesëmarrje të lartë prej më shumë se 46%. Ndërkohë, pritet ende të numërohen votat e mërgatës për të parë nëse Kurti do mund të formojë qeverinë i vetëm.