Skip to content
Kryesore

Pesë muaj dhunë, akuza dhe kërcënime: Përgjigje për përrallat e Edi Ramës

· 8 min lexim

Nga Gazeta Reforma

Pesë muaj iu deshën Edi Ramës të kujtohej se qytetarët mund të dëgjohen. Pesë muaj protesta, përplasje, dhunë policore, studentë të goditur, arrestime dhe akuza publike ndaj të rinjve që guxuan t’i dilnin kundër.

Këtë fjalim duhej ta mbante ditën e parë. Përpara se policia të godiste protestuesit. Përpara se të ngriheshin akuza për dhunimin e të miturve. Përpara se qytetarët të shihnin te uniforma një kërcënim dhe jo mbrojtje.

Por Rama zgjodhi rrugën tjetër: fyerje, etiketime, lista me “kriminelë” dhe paralajmërime. Tani ofron dialog, premton para dhe në fund kërcënon përsëri.

Shkopi dhe karota. Me paratë e shqiptarëve dhe policinë e shqiptarëve. Kundër shqiptarëve.

ANTIFA, iranianë, rusë… Po shqiptarët ku janë?

Rama ka një shpjegim për gjithçka, përveç pakënaqësisë së qytetarëve me qeverinë e tij.

Herë ANTIFA, herë krimi i organizuar, herë Irani e Rusia, herë radikalë fetarë. Tani kërkon edhe bashkëpunimin e Italisë dhe Francës.

ANTIFA nuk është një organizatë e vetme me një komandë qendrore. Madje, Rama ka përqafuar vetë politika që mbështeten nga lëvizje progresiste: të drejtat LGBTQI+, feminizmin, emigracionin dhe kanabisin mjekësor. Po të mjaftonin këto qëndrime për të shpallur dikë ANTIFA, kryeministri do të duhej të fillonte nga vetja.

Por studentët shqiptarë nuk protestojnë për ideologjitë e huaja. Kërkojnë dorëheqje, përgjegjësi për korrupsionin, shërbime, mundësi dhe një shtet që nuk i trajton si armiq.

Etiketat nuk zëvendësojnë përgjigjet.

Lista e 45 “kriminelëve”: Kryeministri akuzon, qytetarët i dalin përballë

Rama publikoi fotografitë e 45 personave për t’i paraqitur si individë me precedentë penalë të fshehur pas protestës studentore.

Por Jon Sinoimeri, student i Mjekësisë me mesatare 10, doli para kamerave dhe mohoi akuzën për narkotikë.

Sardi Xibri mohoi akuzën, paraqiti dëshmi penaliteti si i padënuar dhe njoftoi veprime ligjore.

Ergys Llanaj, me 18 vite shërbim ushtarak, doktoraturë dhe certifikata sigurie të NATO-s, u mbrojt publikisht me referenca ndaj vendimeve gjyqësore për arrestim të paligjshëm dhe pushim procedimi.

Ardit Dulaj, pjesë e Shqipëria Bëhet, deklaroi se gjashtë arrestimet dhe procedimet ndaj tij kishin rezultuar të paligjshme.

Këta njerëz kanë emra, fytyra dhe jetë. Nuk janë fotografi që kryeministri mund t’i përdorë për të trembur një turmë.

Kush ia dha listën? Kush e kontrolloi? Kush vendosi të publikojë të dhënat personale? Kush përgjigjet për akuzat e kundërshtuara?

Një arrestim nuk është dënim. Dhe as një dënim nuk ia heq qytetarit të drejtën për të protestuar.

Agjenturat e huaja dhe kujtesa e 21 Janarit

Kur një kryeministër nuk u përgjigjet kërkesave të protestuesve, është më e lehtë të flasë për komplote.

Edhe 21 Janari mbetet një kujtesë e rëndë e asaj që ndodh kur përplasja politike trajtohet si luftë kundër shtetit.

Rama flet për krim të organizuar, para të pista, ndikim të huaj dhe radikalizëm. Por përse këto akuza zënë vendin e përgjigjeve për problemet e vendit?

Dhe kush ia servir kryeministrit informacionet për agjenturat?

Ka njerëz që e ushqejnë me histori për rreziqe, shantazhe e komplote për të fituar ndikim, poste në polici, mandate deputetësh apo bashki. Kush është i radhës që përfiton post nga çdo armik i ri imagjinar që i paraqitet kryeministrit?

Shqipëria nuk ka nevojë për një agjent të huaj që të shohë korrupsionin, varfërinë apo abuzimin me pushtetin.

Pesë muaj nuk negociohej. Sot: “Bujrum, dialog”

Rama kishte kohë të dëgjonte. Zgjodhi të fyente.

Në debatin e këtyre muajve mbeten deklaratat për 500 mijë protestuesit që nuk do ta ndalnin, etiketimet “sorra”, “plehra”, “pseudo-studentë” dhe qëndrimi “Me këtë nuk negociohet”.

Tani vjen ftesa: “Bujrum, DIALOG… Pa kushte”.

Pse sot? Pse jo përpara dhunës, arrestimeve dhe përçarjes?

Një telefonatë me një pedagog të Mjekësisë nuk është dialog me studentët. Dhe një ftesë nga Kryeministria nuk i detyron qytetarët të largohen nga sheshi.

E drejta për të protestuar nuk skadon kur Rama vendos të flasë.

Policët godasin, Rama flet vetëm për dhunën e protestuesve

Protestuesit janë goditur nga policia. Studentët janë shoqëruar në komisariate. Pamjet e ndërhyrjeve të dhunshme kanë qarkulluar publikisht. Akuza për lëndime të të miturve kanë rënduar edhe më shumë përplasjen.

Rama ka shumë fjalë për dhunën e protestuesve. Për policët që kanë tejkaluar ligjin, shumë më pak. Le të themi, fare.

Kush i urdhëroi ndërhyrjet? Kush i kontrolloi efektivët? Kush përgjigjet për qytetarët e goditur barbarisht dhe arrestimet e paligjshme?

Pastaj vjen edhe shpërblimi prej 2,500 eurosh për policët. Qesharake!

Çfarë mesazhi jepet kur, në mes të akuzave për dhunë, pushteti shpërblen uniformat me paratë e taksave tona dhe kërcënon protestuesit? Paguajmë policët që të na rrahin!

Polici nuk është punonjës personal i Edi Ramës. Paguhet nga qytetarët për t’i mbrojtur, jo për t’u bërë kundërshtari i tyre.

Ligji nuk ndryshon sipas anës së kordonit ku qëndron njeriu.

Rama nuk është shteti. Dorëheqja nuk është grusht shteti

“Qeveria nuk rrëzohet me dhunë”, thotë Rama.

Por kush i dha të drejtën ta barazojë kërkesën për dorëheqjen e tij me përmbysjen e shtetit?

Qeveritë ndryshojnë. Kryeministrat largohen. Republika mbetet.

Qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë dorëheqje, të protestojnë dhe të kundërshtojnë pushtetin. Kanë edhe të drejtën të lëvizin, të punojnë e të shkollohen. Asnjëra prej këtyre të drejtave nuk është pronë e kryeministrit.

Për një veprim të paligjshëm përgjigjet individi, jo familja, jo e gjithë turma.

Mediat nuk janë zyra e shtypit e Kryeministrisë

Rama sulmon ato pak media dhe komentatorët që kundërshtojnë mënyrën si policia ka trajtuar protestuesit. Flet edhe për protestues që pengohen të hyjnë në dialog.

Por kritika ndaj policisë nuk është nxitje e dhunës. Mbështetja e protestës nuk është krim. Një student nuk bëhet “pseudo-student” sepse kërkon dorëheqjen e kryeministrit.

Gazetaria nuk ka detyrë të mbrojë qeverinë nga pyetjet e pakëndshme. Ka detyrë t’ia bëjë ato.

Premtime për bukën dhe shtëpinë, heshtje për përgjegjësinë

Rama premton masa për koston e jetesës, strehimin, meritokracinë dhe barazinë sociale.

Po kush e qeverisi vendin gjithë këto vite?

Kush miratoi buxhetet? Kush dha lejet e ndërtimit? Kush drejtoi administratën? Kush e ndërtoi sistemin ku patronazhimi dhe lidhja me pushtetin rëndojnë mbi mundësitë e qytetarit?

Ndërsa shqiptarët protestonin, qeveria vazhdonte me tendera, koncesione, kontrata dhe leje. Dosjet e korrupsionit nuk u zhdukën. SPAK vazhdon të ketë qindra çështje të papërfunduara të zyrtarëve të shtetit e bashkëpunëtorëve të tyre.

Rama nuk mund të shesë si zgjidhje të reja problemet që janë thelluar gjatë qeverisjes së tij.

Dhe dëmi nuk matet vetëm me milionat e abuzimit. Matet me të rinjtë që ikin, familjet që varen nga një vend pune në shtet, qytetarët që humbasin besimin dhe një vend që ndahet mes atyre që kanë lidhje me pushtetin dhe atyre që nuk kanë.

Shqipëria ka kaluar romakë, osmanë, Zogun dhe diktaturën e Enver Hoxhës. Sot kjo plaçkitje po i kushton vendit më shumë se çdo herë ekonomikisht dhe shoqërisht, nga një pushtet që e ka kthyer përkatësinë politike në vijë ndarëse mes shqiptarëve.

Qytetarët paguajnë shërbimet. Rama i përdor si kërcënim

Qytetarët protestojnë edhe sepse nuk marrin shërbimet që u takojnë. Kryeministri u paralajmëron kufizime të këtyre shërbimeve, madje pasoja që mund të prekin familjarët.

Me çfarë të drejte?

Shkollat, spitalet, administrata dhe shërbimet publike paguhen nga taksat e qytetarëve. Me ato taksa paguhet edhe karrigia nga e cila Rama i kërcënon.

Shërbimet nuk janë dhuratë e tij. Familjarët nuk janë pengje politike. Dhe kryeministri nuk është as polic, as prokuror, as gjykatës.

Asnjë surprizë nga një pushtet që e trajton shtetin si pronë personale, ndërsa kryeministri ëndërron të jetë artist dhe harron se detyra e tij është t’u shërbejë qytetarëve.

Fjalimi mbaron me kërcënime. Pikërisht aty ku nisi

Pas dialogut dhe premtimeve ekonomike, Rama rikthehet te ndëshkimet penale dhe financiare, edhe për ata që ai i konsideron promovues të dhunës.

Kush vendos? Kryeministri nga foltorja?

Jo. Ligjet i zbaton drejtësia, jo vullneti politik. Kritika nuk është krim. Protesta nuk është krim. Kundërshtimi i qeverisë nuk është krim.

Ky është i gjithë fjalimi i 24 tetorit: një dorë ofron dialog, tjetra mban shkopin.

Dhe pas gjithë këtyre muajve, Rama ende nuk u përgjigjet pyetjeve kryesore: pse u dhunuan qytetarët, pse u ekspozuan protestues me akuza të kundërshtuara, pse u vonua dialogu, çfarë ndodhi me përgjegjësinë e policisë dhe ku është llogaridhënia për korrupsionin?

Për këto shqiptarët dolën në rrugë. Jo për ANTIFA-n, Iranin apo Rusinë.

Rama mund të shpikë armiq politikë, të ndërrojë tonin, të premtojë para dhe të kërcënojë me ndëshkime. Por nuk mund të ndryshojë një fakt themelor: Shqipëria nuk është e tij.

Policia nuk është e tij. Institucionet nuk janë të tij. Taksat nuk janë të tij. As e drejta e qytetarëve për të protestuar nuk varet nga humori i tij.

Nuk janë shqiptarët ata që duhet t’i japin llogari Ramës pse protestojnë. Është Rama ai që duhet t’u japë llogari shqiptarëve pse protestojnë kundër tij.