Përpëlitjet e fundit për të mbajtur qeverinë: Rama prezanton “Pasqyrë Albania” për të mbuluar dështimin e Platformës së Bashkëqeverisjes

Kryeministri Rama prezanton “Pasqyrë Albania” si instrumentin e ri digjital të qeverisë, ndërsa përpiqet të hedhë poshtë pikërisht akuzën se nisma e re po përdoret për të mbuluar dështimin e Platformës së Bashkëqeverisjes. Megjithatë, vetë deklarata e tij pranon se platforma ekzistuese nuk ka arritur të bëjë atë që tashmë premtohet përmes sistemit të ri.
Gjatë mbledhjes me ministrat dhe grupin parlamentar, Rama deklaroi se Platform e Bashkëqeverisjes nuk do të zhduket, por do të përfshihet në sistemin e ri. Në të njëjtën kohë, ai pranoi se “Pasqyrë Albania” do të marrë përsipër pikërisht funksionet që platforma e deritanishme nuk ka arritur t’i realizojë.
“Në hamendësimet e bëra thuhet që Pasqyra është një tjetër hap që vjen nga përpjekja për të mbuluar dështimin nga platforma e bashkëqeverisjes. Kjo është e pavërtetë, sepse platforma e bashkëqeverisjes do të jetë pjesë. Atë çfarë nuk ka bërë dot platforma, do ta bëjë Pasqyra. Është në një proces transformimi për shkak se nuk e kemi pasur instrumentin e jashtëzakonshëm që kemi sot, AI. E-Albania do të jetë pjesë përbërëse e Pasqyrës, dhe dosja personale, dokumentet individuale, komunikimi vetjak për çështje shërbimesh apo për çështje hallesh të një qytetari, mbeten të mbrojtura dhe vazhdojnë të kryhen përmes e-Albania, ose në kanalin përkatës.
Risia është që halli individual nuk mbetet i vetëm në mjegullën e padepërtueshme të xhunglës digjitale. Pasqyrë Albania informon çdo qytetar sa zgjat përgjigjja që ai duhet të presë, mban në kontakt çdo qytetar që do të jetë në kontakt të vazhdueshëm për çdo ndryshim që bëhet në korpusin legjislativ dhe rregullator dhe Pasqyrë Albania do të fitojë një kapacitet të ri. Çdo qytetar që do të dojë të informohet nga celulari se çfarë ndodh në fushën e tij të jetës, e merr në WhatsApp-in e tij në kohë reale. “Sot ka hyrë në fuqi ky vendim, ky ligj”.”, u shpreh Rama.
Pra, ndërsa Rama e cilëson të pavërtetë pretendimin se sistemi i ri po krijohet për të mbuluar dështimin e Platformës së Bashkëqeverisjes, ai pranon se kjo e fundit nuk ka përmbushur një pjesë të funksioneve që tani i ngarkohen “Pasqyrë Albania”.
Platform e re prezantohet si një tjetër hallkë e madhe digjitale e qeverisë, ku do të integrohet edhe e-Albania, ndërsa inteligjenca artificiale paraqitet nga Rama si instrumenti që do të mundësojë transformimin.
Qytetarëve po u serviret një tjetër emër dhe një tjetër platformë për të njëjtat premtime të pambajtura.