Teksasi qendror po përjeton një nga tragjeditë më të rënda natyrore të dekadave të fundit, me bilancin e viktimave që rritet dita-ditës.
Të paktën 110 persona kanë humbur jetën dhe 161 të tjerë rezultojnë ende të zhdukur si pasojë e përmbytjeve katastrofike që përfshinë rajonin gjatë fundjavës së festës kombëtare amerikane.
Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, në një deklaratë për mediat, konfirmoi se vetëm në Qarkun Kerr, një nga zonat më të goditura, 87 persona kanë humbur jetën, përfshirë 30 fëmijë.
Në mesin e viktimave janë edhe 27 fëmijë dhe mbikëqyrës që ndodheshin në një kamp veror në brigjet e lumit Guadalupe, ku në momentin e tragjedisë ndodheshin rreth 750 persona.
“Vetëm në Qarkun Kerr, 161 persona janë ende të zhdukur”, tha Abbott, duke sqaruar se shifra bazohet në raportime të afërmve, miqve dhe fqinjëve.
Më shumë se 850 persona janë shpëtuar deri tani nga ekipet e emergjencës, por shpresat për të gjetur të mbijetuar po veniten për çdo orë që kalon.
Ndërsa kërkimet vazhdojnë me helikopterë, dronë dhe ekipe me qen nuhatës, zyrtarët thonë se kushtet janë jashtëzakonisht të vështira.
“Depërtimi thellë në mbeturinat që ka lënë pas përmbytja është jashtëzakonisht i rrezikshëm,” tha Ben Baker, një zyrtar sigurie në Teksas, i cili shtoi se anëtarët e ekipeve të kërkim-shpëtimit po përballen edhe me ngarkesë të rëndë emocionale. “Është tragjike të dëshmosh humbjen e një jete njerëzore. Por të shohësh që është një fëmijë, është jashtëzakonisht e vështirë.”
Presidenti Donald Trump njoftoi se do të vizitojë zonat e prekura të premten, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Melania Trump.
“Dërguam helikopterë nga çdo drejtim, i dërguam menjëherë,” deklaroi ai.
Ndërkohë, në shtetin fqinj të New Mexico-s, Shërbimi Kombëtar i Motit lëshoi paralajmërime emergjente për përmbytje në qytetin Ruidoso, ndërsa shirat e rrëmbyeshëm vijojnë të krijojnë situata alarmante.
Shtëpia e Bardhë, nga ana tjetër, hodhi poshtë kritikat për shkurtimet në buxhetin dhe stafin e NWS, të cilat janë akuzuar se kanë ulur saktësinë e parashikimeve.
Zëdhënësja Caroline Levitt theksoi se paralajmërimet u lëshuan me kohë, por shumë qytetarë ndodheshin në gjumë ose kishin fikur pajisjet telefonike në momentin e alarmit.
Përmbytjet e papritura ndodhën të premten në orët e para të mëngjesit, kur lumi Guadalupe u rrit me 8 metra brenda 45 minutave. Reshjet e shiut arritën deri në 300 mm në orë, që përbën një të tretën e mesatares vjetore për rajonin.
Sipas ekspertëve të klimës, fenomenet ekstreme si ky po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe më të dhunshme për shkak të ndikimit njerëzor mbi klimën globale.