Kur Barry Lewis erdhi për herë të parë në Shqipëri, në vitin 1990, regjimi komunist ishte ende në fuqi dhe Sigurimi i Shtetit vigjilente në çdo cep.
Të deklaroheshe gazetar apo fotoreporter nuk ishte aspak e lehtë, ndaj Lewis u detyrua të maskohej si arkeolog për të realizuar fotografitë e tij të para në vendin tonë.
“Herën e parë që ishim këtu nuk pëlqeheshin gazetarët, kështu që pretenduam se ishim arkeologë në një tur. Ky ishte viti 1990 dhe duhej të tregoheshim të kujdesshëm, sepse të gjithë na vëzhgonin,” tregon ai.
Vetëm disa muaj më vonë, ai do të rikthehej në Shqipëri, tashmë në ditët e para të demokracisë. Ishte viti 1991 dhe vetëm dy javë kishin kaluar nga rrëzimi i statujës së Enver Hoxhës. Lewis nuk kishte më nevojë të fshihej, ndërsa vendi ndodhej në prag të një epoke të re.
“Ishte kohë e mrekullueshme, të gjithë ishin të entuziazmuar. Nuk kishte para, por kishte shumë mundësi.”
Fotografitë e tij bardhë e zi, të realizuara gjatë dy periudhave vendimtare për Shqipërinë, janë tashmë pjesë e një ekspozite të veçantë, që sjell përballë dy botë: diktaturën dhe fillimet e demokracisë. Janë pamje që dokumentojnë historinë, emocionet dhe kontrastet e thella të një populli që po dilte nga izolimi.
Një nga fotot më të veçanta për Lewis është ajo e një funerali në Kalimash, ku ai u pranua nga banorët e zonës për të ndarë dhimbjen e tyre.
“Pata rastin e parë të shkoja në male. Malësia ishte shumë ndryshe nga jugu dhe kishin kulturë të ndryshme. Ishin të mrekullueshëm dhe më pranuan, madje edhe në funerale. Ata më lejuan të ndaj edhe dhimbjen e tyre në funeral. Është shumë e çuditshme, sepse vetëm dy vjet më parë, dikush që kishte parë fotografitë e mia më telefonoi. Ishte një vajzë që po bënte një master në Gjenevë dhe është një nga fëmijët në këtë fotografi. Ajo më kërkoi t’i nisja dhe i nisa, shumë foto të familjarëve të saj në këtë moment.”
Një tjetër moment i paharruar për fotografin britanik është takimi me shkrimtarin Ismail Kadare në Hotel “Tirana” më 1990, një takim që erdhi si frymëzim pas leximit të romanit “Prilli i thyer”.
“Kisha lexuar ‘Prilli i thyer’. Ishte i mahnitshëm dhe doja të shkoja në male.”
Lewis kujton se ishte bashkë me Chris Jagger, vëllai i Mick Jagger të “Rolling Stones”, kur takuan Kadarenë.
“Për mua ishte shumë emocionuese të kisha shansin ta takoja Kadarenë. Ne patëm një mbrëmje zyrtare ku Kadare po thoshte: Shqipëria është e mrekullueshme dhe unë kurrë nuk do të largohesha. Por ndërkohë vazhdonte të më shikonte e thuajse po më shkelte syrin. Ai u largua nga Shqipëria dy javë më vonë drejt Parisit. E kam takuar dhe njëherë tjetër në Londër ku biseduam. Shkrimtar i mrekullueshëm. Disa njerëz thonë se ka qenë pjesë e sistemit, por ai nuk ishte. Ai ishte trim dhe përdori romanet për të treguar historinë e Shqipërisë, gjë që nuk mund të bëhej me filma apo revista.”
Përtej portreteve njerëzore, Lewis kujton edhe fabrikën e fosfatit një projekt industrial i mbështetur nga Kina, që përveç ndotjes, simbolizonte edhe fundin e një epoke.
“Nuk munda ta fotografoj në ’90-ën, por në vitin ’91 e fotografova. Ironikisht te kjo fabrikë bënin fosfat për bujqësinë por toka ‘vdiste’. Ishin pesticide shumë të rrezikshme. Zakonisht fotografoj njerëz, por ky rast është një histori e bukur sepse prezanton fillimin e fundit, gjë që ndodh ende sot në vende të varfëra.”
Fotot bardhë e zi nuk ishin rastësi. Për Lewis, ato përçojnë më qartë atmosferën e zymtë të kohës dhe tranzicionin.
“Mendova të bëja fotografia me ngjyra e bardhë e zi kur erdha fillimisht. Por pashë pak ngjyra atëhëre në Shqipëri dhe mendoj se isha me fat që isha në atë periudhë. Këto foto bardhë e zi janë edhe si një lloj kontrasti mes regjimit të Hoxhës dhe ndryshimit.”
Kuratorët e ekspozitës e konsiderojnë punën e Lewis si një dokumentim të rrallë të jetës shqiptare në vitet 1990-91.
“Elton Koritari, një nga kuratorët e ekspozitës, thotë: ‘E gjithë kjo u lidh në kuadrin e një kolonie artistike që ne po prap sëbashku kemi themeluar prej tre vitesh. Kjo koloni nomade xhiron në trevat tona sikurse ka xhiruar edhe Barry dhe kërkon që ta verë në fokus fotografinë sociale, fotografinë e angazhuar dhe fotografinë e autorit të shoqërisë shqiptare, si një nga gjërat që i munguar së shumti artit apo krijimtarisë në vendin tonë, duke theksuar që fotografia ka qenë thuajse gjithmonë shprehi e propagandës.’”
Burim Myftiu, kurator i ekspozitës, shton:
“Pikërisht në Piramidë kthehet shpirti, emocionet, ndjenjat e asaj periudhe, në shtëpinë e tyre ku Barry erdhi jo vetëm të fotografojë, por të bashkëndiejë me popullin shqiptar të gjithë vështirësitë e vitit ’90 të izolimit dhe të vitit ’91 të tranzicionit. Puna e Barry Lewis është një studim antropologjik, studim psikologjik. Në çdo fotografi, në çdo kuadër ndieni mirëkuptimin e tij. Ai ndjeu atë energji pozitive. Ai nuk krijoi vetëm fotografi por bëri thellim antropologjik, psikologjik në shpirtin e njerëzve të vuajtur të asaj periudhe të vështirë të Shqipërisë.”
Ena Bulku, drejtuese e galerisë “Gocat”, përmbyll:
“Të kesh në Shqipëri një fotograf të ekspozuar si Barry Lewis është fat. Ekspozita vjen e kuruar në mënyrë bashkëkohore dhe vesh muret e kësaj galerie me historinë tonë të viteve ’90-’91 nga pikëpamja e një fotografi interesant siç është Barry Lewis.”
Barry Lewis është një fotograf i njohur ndërkombëtarisht, fitues i shumë çmimeve dhe autor i mbi 20 librave. Puna e tij është ekspozuar në mbarë botën, nga Mbretëria e Bashkuar deri në Muzeun e Londrës e Oxford Museum of Modern Art dhe sot, në Shqipëri, ku historia e dokumentuar përmes aparatit të tij mbetet një testament i kohës.