Skip to content
Të Gjitha

Pas shkarkimit si ministër, Damian Gjiknuri merr postin e rëndësishëm në PS

· 2 min lexim

Deputetit Damian Gjiknurit, i është besuar detyra e Sekretarit për Çështjet Zgjedhore në Partinë Socialiste, post i cili do të koordinojë në punën për reformën zgjedhore, pas shkarkimit si ministër.

Më herët këtë detyrë e mbante Bledi Çuçi, po për shkak të emërimit të tij si ministër i Bujqësisë, tashmë posti i është besuar Gjiknurit.

Propozimi i kryeministrit Edi Rama mori votat unanime sot në mbledhjen e kryesisë së Partisë Socialiste.

Në përfundim të mbledhjes së kryesisë, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, shprehu besimin se edhe deputetët e rinj të opozitës, do të kontribuojnë për reformën zgjedhore.

“Gjiknuri është zgjedhur drejtuesi i një procesi të rëndësishëm që kam besim që në kuvend me deputetët e rinj të opozitës, me të gjitha partitë të çojmë në një draft përfundimtar të reflektojë rekomandimet e OSBEE, dhe të ketë certifikimin e ODIHR. Misioni i ODIHR është në Tiranë, nesër do të ketë takime me partitë politike”-tha Balla.

Menjëherë pas këtij vendimi ka reaguar edhe PD, duke thënë se Gjiknuri është model i blerjes së votës dhe person që duhej të hetohej për dosjen numër 184, ku prokuroria po heton për shit-blerje të votave.

“Edi Rama rikonfirmon vullnetin për zgjedhje të blera dhe të kapura nga ai. Ky model do shkulet nga qytetaret qe po tregojnë çdo dite e me shume qe janë shumica, qe nuk kane frike nga diktatori i ri, qe do rikthejnë demokracinë ne ketë vend. Nuk do ketë më zgjedhje me modelin “Dosja 184” as “Dosja 339” as “Dosja Habilaj”!”- tha në një reagim zëdhënësja e Partisë Demokratike Ina Zhupa.