Pas dorëzimit të “The Albanian Files”, topi është në fushën e SPAK: A do të hetojë Ramën dhe rrjetin pas projekteve?

Sot protesta nuk u ndal para godinës së SPAK vetëm për të dorëzuar një libër. Ajo i dorëzoi Prokurorisë së Posaçme një pikënisje hetimi. “The Albanian Files” nuk është provë penale në vetvete, por është një hartë që tregon se ku duhet të kërkohet, cilat projekte duhet të verifikohen dhe cilat vendime duhet të ballafaqohen me dokumentet zyrtare.
Në libër gjenden të dhëna që ngrenë dyshime për ndryshime ligjore të bëra me porosi, shmangie të konsultimit publik, konflikt interesi mes kryeministrit, arkitektëve dhe bizneseve, si edhe për projekte të hartuara përpara se të miratoheshin ndryshimet ligjore. Protestuesit bënë të ditur se në ditët në vijim do të depozitohet edhe një kallëzim penal në SPAK.
Nëse “The Albanian Files” përmbledh projekte që më pas janë shoqëruar me vendime të Këshillit Kombëtar të Territorit, me ndryshime ligjore, me leje ndërtimi, me statuse investitori strategjik apo me ndërhyrje në zona të mbrojtura, atëherë këto nuk janë më vetëm faqe libri. Janë elemente që mund dhe duhet të krahasohen me dokumentet zyrtare të shtetit.
SPAK ka sot mundësinë të ndjekë një zinxhir të plotë verifikimi.
Nëse projektet e paraqitura në “The Albanian Files” përputhen me vendimmarrje publike, me leje ndërtimi, me ndryshime ligjore, me vendime të KKT-së apo me favorizim të investitorëve të caktuar, atëherë kjo çështje kërkon verifikim mbi bazën e dokumenteve dhe ligjit.
SPAK duhet të shohë nëse pas këtij modeli ka pasur mekanizma favorizimi, ndikim politik, përzgjedhje të privilegjuar, përdorim të institucioneve publike për interesa private apo lidhje mes pushtetit, arkitekturës dhe biznesit të madh.
Pikërisht këtë kërkuan sot protestuesit para SPAK.
Rama mund të mohojë librin si autorësi formale. Por ajo që nuk mund të mohojë lehtë është autorësia politike e modelit që libri përmbledh.
Nëse pretendimet që ngrihen në “The Albanian Files” nuk qëndrojnë, hetimi duhet ta provojë këtë me dokumente. Nëse qëndrojnë, atëherë përgjegjësitë duhet të identifikohen pa përjashtime, pavarësisht funksionit apo pozitës së kujtdo.
Për shumë qytetarë, protesta e sotme ishte një mesazh i qartë: beteja nuk duhet të mbetet vetëm në shesh. Ajo duhet të vazhdojë në institucionin që ka kompetencën të hetojë pushtetin.
Sepse libri tashmë është në duart e SPAK-ut.
Tani është radha e drejtësisë të tregojë nëse do të ndjekë gjurmët që ai ngre apo do t’i lërë ato të mbyllen mes faqeve të tij.