Trupi i pajetë i Ardit Beshirit, 29 vjeç, është gjetur pas shtatë ditësh kërkimesh intensive në Klos, ku i riu humbi jetën pasi u zu nga dheu gjatë punës me fadromë në një stog minerali në zonën e njohur si Qafë-Burrel.
Ai u zhduk më 3 maj, pasi eskavatori që po drejtonte u fundos nën masivin e dheut.
Për gjetjen e trupit, u përfshinë Forcat e Armatosura të Shqipërisë, Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Policia e Shtetit, ndërsa zona ku ndodhi rrëshqitja ishte mjaft e thellë dhe e vështirë për ndërhyrje, rreth 500 metra e gjatë, 20 metra e gjerë dhe mbi 4 metra në thellësi.
Në vendngjarje ka qëndruar çdo ditë babai i të ndjerit, Nerim Beshiri, i cili së bashku me familjarët ka kërkuar me mjete rrethanore si lopata, duke bërë thirrje të përsëritura për ndihmë nga shteti dhe përdorim të pajisjeve të specializuara.
Sipas tij, Arditi kishte paralajmëruar pak ditë para ngjarjes për rrezikun e punës që bënte dhe kishte marrë urdhër për të punuar pikërisht në atë zonë nga menaxherja e firmës ku kishte punuar prej pesë vitesh.
“Menaxherja e firmës i dha urdhër djalit që të punonte aty ku rrëshqiti dheu. Djali punonte në këtë firmë prej 4-5 vitesh, askush s’erdhi të më japë ngushëllime. Djali më tha dy ditë para fatkeqësisë që ka punë të rrezikshme”, tregon ai.
“Vetëm një pjesë e trupit të tij, një këpucë dhe disa sende metalike janë gjetur më parë. Kam nevojë të di ku t’i hedh një tufë lule. Djali im vdiq në mal duke punuar ndershëm,” tha babai i tij në një apel prekës drejtuar institucioneve shtetërore.