Parlamenti Evropian ka fshirë deklaratën e tre eurodeputetëve, të cilët i kërkonin qeverisë dhe Kuvendit të Shqipërisë që mos dëmtohet konsensusi i arritur me opozitën por të miratohet marrëveshja e 5 qershorit pa ndryshime pasi çdo modifikim i saj pa konsensus rrezikon Konferencën e Parë Ndërqeveritare.
Nuk dihet ende përse është ndërmarrë një vendim i tillë, por në deklaratën e tyre eurodeputetët e Parlamentin Europian ishin shumë kritikë dhe të prerë.
Në deklaratë theksohej se çdo vend ka të drejtë të vendosë vetë mbi sistemin zgjedhor të tij, por nga praktikat më të mira ndërkombëtare rekomandimi është që çdo ndryshim në sistem duhet të bëhet në mënyrë gjithpërfshirëse të paktën 1 vit para zgjedhjeve të ardhshme të planifikuara.
Deklarata e plotë
“Ne presim që shumica parlamentare të miratojë ndryshimet e nevojshme pa dëmtuar konsensusin e arritur midis Qeverisë dhe Opozitës më 5 qershor. Çdo modifikim i Marrëveshjes pa arritur një konsensus me të gjitha partitë politike mund të rrezikojë thirrjen e konferencës së parë për negociatat e anëtarësimit, dhe për këtë arsye të ngadalësojë procesin e integrimit evropian.
Çdo vend është i lirë të vendosë dhe përmirësojë sistemin e tij zgjedhor sipas kontekstit kombëtar dhe konsensusit. Sidoqoftë, praktikat më të mira ndërkombëtare rekomandojnë që çdo ndryshim në sistemin zgjedhor duhet të bëhet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente duke filluar të paktën një vit para zgjedhjeve të ardhshme të planifikuara. Ne besojmë se Shqipëria do t’i respektojë këto rekomandime dhe do të punojë më tej drejt arritjes së rezultateve të qëndrueshme në fushat kryesore të reformës.
Parlamenti Evropian është i përkushtuar të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj të integrimit evropian dhe është i gatshëm të punojë me Parlamentin shqiptar në lehtësimin e dialogut dhe ndërtimin e konsensusit mbi reformat thelbësore në fushat e demokracisë, sundimit të ligjit dhe përgjegjshmërisë që janë të domosdoshme për BE-në e vendit të ardhmen”, thuhet në deklaratën e tyre.