Skip to content
Të Gjitha

Pak kohë më parë la qelinë/ Vdes papritur Nehat Kulla, kreu i bandës famëkeqe të ’97-ës

· 2 min lexim

Nehat Kulla i njohur si “Gjenerali” ose i forti i 1997-ës ka ndërruar jetë ditën e sotme në banesën e tij në Tiranë.

Kulla është ndarë nga jeta në moshën 67-vjeçare.

Pak kohë më parë Kulla kishte lënë edhe qelinë e burgut të Fushë-Krujës, pas dënimit me 20 vjet burg për vrasjen me paramendim të shtetasit Halim Gjuzi.

Ky i fundit ka qenë shoferi i ish-ministrit të Brendshëm, Halit Shamata.

67-vjeçari Nehat Kulla e kreu të gjithë burgimin, pasi fitoi disa herë ulje të dënimit.

Kulla ishte emër i njohur për drejtësinë shqiptare, pasi drejtoi një nga bandat më famëkeqe në Tiranë në vitin 1997.

Banda e Nehat Kullës u krijua gjatë trazirave të vitit 1997 në Shqipëri.

Ai së bashku me familjarë e miq të tij mbajtën të paprekur repartin “xhenios”, ndër të vetmit të padëmtuar gjatë sulmeve.

Madje, gjatë vitit 1997, kur shteti kishte humbur kuptimin e vet, ai arrin të krijojë një komisariat të mirëfilltë policie, me aktivitet në zonën e Kinostudios dhe Tufinës në Tiranë.

Banda e tij akuzohet se ka kryer shumë vrasje dhe krime të tjera të frikshme në vitet 1997-1998.

Kohët e fundit në burg ai pati vizita dhe nga njerëz të politikës, pasi deputeti Kujtim Gjuzi që është shprehur se është miku i tij, shkoi dhe e takoi në qeli.

Kulla pak kohë më parë humbi dhe vëllain e tij, Ramazan Kulla, pasi ishte prekur nga Covid-19.

Mësohet se Kulla ka humbur jetën pas një trompoze në mushkëri.

Nofka e “Gjeneralit”

Nehat Kulla, ish-i forti i Tiranës në vitin e mbrapshtë 1997, do të vetëquhej “Gjenerali”, pasi kishte grabitur një kamionçinë ushtarake tip “Shevrolet” (Chevrolet) me targa ushtrie dhe sinjale policie dhe mbante veshur uniformë ushtarake.

Të paktën, atë kohë, i vetmi mjet i tillë që ndodhej në Shqipëri i përkiste Kullës, i cili madje ka pozuar për mediat me uniformë dhe kallashnikov në dorë.

Ai shoqërohej gjithmonë nga një eskortë e armatosur me automatikë dhe vetë asnjëherë nuk e lëshonte automatikun nga dora.