Shqipëria ka humbur rreth 6.5% të sipërfaqes së saj totale pyjore gjatë 20 viteve të fundit. Kërkimet tregojnë se moratoriumi i vendosur nga vendi në vitin 2016 për prerjet komerciale të pyjeve nuk e ka ndalur shpyllëzimin.
“Mos shkoni atje se ju ha arusha,” na thanë katër burra në fshatin Lekbibaj të Tropojës në Shqipërinë e veriut.
“Këshilla” e burrave ishte qartazi një paralajmërim për ne se do të ishte më mirë të qëndronim larg.
Rrugës për në Lekbibaj kaluam pranë shumë kamionëve të ngarkuar me trungje të mëdha. Rrugët e paasfaltuara dhe shtigjet e përdorura nga kamionët në pyll, si dhe dëshmitë e shpyllëzimit në shkallë të gjerë, janë të dukshme për këdo.
Shkatërrimi i pyjeve shqiptare
Pyjet shqiptare janë dëmtuar rëndë gjatë tri dekadave të fundit. Aq sa Tropoja është një nga të vetmet zona në vend ku ende mund të gjenden dru ahu, një lloj druri shumë i kërkuar në industrinë përpunuese të drurit.
“Gjatë 20 viteve të fundit, Shqipëria ka humbur rreth 33% të biomasës së saj drusore,” thotë Abdulla Diku, një inxhinier pyjesh që ka studiuar prej vitesh situatën e pyjeve në Shqipëri.
Në të vërtetë, raporti më i fundit i publikuar nga Global Forest Watch thotë se Shqipëria ka humbur 7.2% të sipërfaqes së përgjithshme me pemë në dy dekadat e fundit. Ekspertët e pyjeve në Shqipëri e vlerësojnë këtë shifër rreth 6.5%.
Moratoriumi për prerjet komerciale
Në një përpjekje për të mbrojtur pyjet e saj, Shqipëria miratoi një moratorium 10-vjeçar për prerjet komerciale në vitin 2016. Kjo do të thotë që prerja e pemëve në pyje për qëllime komerciale është e ndaluar deri në vitin 2026.
Përjashtimi i vetëm i lejuar nga moratoriumi është prerja e pemëve për dru zjarri për familjet dhe institucionet publike si shkolla, çerdhe dhe qendra shëndetësore.
Familjet duhet të aplikojnë pranë bashkisë për leje për të prerë dru për nevojat e tyre personale.
Kompanitë duhet të marrin një licencë për t’u lejuar të presin dru për institucionet publike.
Megjithatë, jo të gjitha pemët në pyjet e Shqipërisë mund të priten: një ekip i veçantë që përfshin inxhinierë pyjesh shënon pemët që janë përcaktuar për dru zjarri.
Moratoriumi shpërfillet nga disa
Por, pavarësisht moratoriumit, fabrika përpunimi druri (sharra) funksionojnë pothuajse në të gjithë vendin. Shumica prej tyre janë informale dhe as që regjistrohen si biznese.
Ndërsa disa nga këto kompani janë të licencuara për të prerë dru për dru zjarri, disa prej tyre shkojnë përtej kësaj, duke prerë qëllimisht pemët më të vlefshme për përpunim dhe jo ato që janë të përcaktuara për dru zjarri.
“Ata i mbushin kamionët me dru ahu të cilësisë më të lartë. Parcelat për të cilat kanë leje nuk preken fare, ndërsa në parcelat me dru të cilësisë më të mirë priten masivisht. Asnjë rregull nuk respektohet; presin ç’të duan,” tha për DW Ahmet Mehmeti, një inxhinier pyjesh me përvojë.
Roli i qeverisjes vendore
Sipas ligjit shqiptar, është përgjegjësi e autoriteteve vendore të menaxhojnë dhe të kontrollojnë aktivitetet në pyje, përfshirë shfrytëzimin komercial të tyre.
“Ne kemi raste sporadike të prerjeve ilegale, por nuk mund të themi që është një fenomen i përhapur,” tha Pjetër Imeraj, administrator i Lekbibajt në bashkinë e Tropojës.
Imeraj i tha DW se detyra e tij është të informojë bashkinë për sasinë e druve të nevojshme për sezonin e dimrit dhe të konfirmojë nëse sasia e kërkuar nga institucionet publike është e drejtë dhe realiste. Bashkia pastaj vendos se sa pemë duhet të priten.
Vetëm një kompani në procesin e tenderimit
Bashkia i tha DW-së se përmes një procesi tenderimi përcaktohet se cilat kompani mund të presin dru për dru zjarri. Ajo nuk dha detaje për kontratën e përfunduar me Alxhef shpk, kompania që fitoi tenderin, dhe u sugjerua që të konsultohej faqja e Agjencisë së Prokurimeve Publike të Shqipërisë për detaje.
Sipas faqes së agjencisë, Alxhef shpk ishte e vetmja ofertues në këtë proces, diçka që ekspertët ekonomikë e konsiderojnë si një shenjë shqetësuese.
“Ne kemI zbatuar gjithçka që parashikohet në kontratë dhe kemi përpunuar vetëm pemë të rrëzuara dhe të kalbura, dhe nuk kemi prerë apo transportuar dru përtej asaj që na është kontraktuar,” tha Xhafer Fiora, pronar i Alxhef shpk, për DW.
Produkte për SHBA-në
Alxhef shpk ka shumë vite përvojë në sektor, përfshirë prodhimin, tregtinë dhe import-eksportin e pothuajse të gjitha llojeve të drurit dhe produkteve të tij.
Klienti kryesor i saj, të cilin e furnizon prej më shumë se 10 vitesh, është Minelli Spa. Kjo kompani është pjesë e grupit italian Minelli, që prodhon produkte druri me cilësi të lartë, si drunj për pushkë sportive dhe rekreative, doreza për furça, thika dhe fshesa, dhe komponentë për lodra druri.
Ndërsa këto produkte shiten në Itali dhe vende të tjera, SHBA-ja është tregu më i madh.
Italia: tregu kryesor i drurit shqiptar
Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave të Shqipërisë (INSTAT), eksportet e drurit (kryesisht dru për qymyr) ranë pak në periudhën 2012–2023. Megjithatë, Italia mbetet vendi ku Shqipëria eksporton më shumë produkte druri dhe letre.
Observatori i Kompleksitetit Ekonomik, një platformë online që analizon aktivitetet ekonomike, tregon se Shqipëria filloi të eksportojë dru në Itali që në vitin 1995. Sipas të dhënave të tij, 71.7% e eksporteve të drurit nga Shqipëria u dërguan në Itali në vitin 2015, një vit përpara se moratoriumi të hynte në fuqi.
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave në Shqipëri nuk pranoi të bëjë publike asnjë të dhënë që lidhet me importin dhe eksportin e drurit gjatë 10 viteve të fundit, përfshirë edhe kodet doganore të llojeve të drurit të eksportuar.
Roli i EUTR-së
Minelli thotë se nuk ishte në dijeni të akuzave për prerje ilegale të bëra nga banorët e Tropojës dy vjet më parë dhe se moratoriumi nuk ka ndikuar në marrëdhënien e saj me Alxhef shpk.
“Ne e dimë që Alxhef importon nga Mali i Zi dhe Kosova, sepse kemi dokumentacionin e nevojshëm për regjistrim në përputhje me EUTR 995/2010,” tha Marcello Minelli nga klienti italian i Alxhef shpk.
Rregullorja e Bashkimit Europian për Drurin (EUTR) hyri në fuqi në vitin 2013. Qëllimi i saj ishte të luftonte prerjet ilegale të drurit dhe produkteve të tij.
Në teori, rregullorja ndalon hyrjen në tregun e BE-së të drurit të paligjshëm dhe kërkon që çdo dërgesë të shoqërohet me dokumente që tregojnë, ndër të tjera, origjinën dhe specien e drurit.
Moratoriumi nuk mjafton
Ekspertët italianë të EUTR-së thonë se rregullorja ka më shumë peshë morale sesa juridike.
Davide Pettenella, profesor i ekonomisë së pyjeve në Universitetin e Padovës dhe ish-konsulent për Ballkanin në FAO (Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e Kombeve të Bashkuara), thotë se “EUTR nuk do ta ndalonte aktivitetin ilegal nga Shqipëria, sepse sistemi është krijuar për dru të gjurmueshëm dhe të ligjshëm, por në një zinxhir korrupsioni që fillon me prerjet ilegale e vazhdon me kontrollet në doganë, matjet, shitjet dhe eksportet, është pothuajse e pamundur.”
Burime nga policia pyjore italiane pranojnë se veprojnë kryesisht mbi bazën e kontrollit të dokumentacionit dhe bëjnë kontrolle në terren vetëm rastësisht çdo dy vjet.
BE-ja gjithashtu ngriti shqetësime për zbatimin e moratoriumit në raportin e saj të vitit 2024 për progresin e Shqipërisë në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE. “Vazhdon të ketë shqetësime për zbatimin e pamjaftueshëm të ligjeve për pyjet dhe prerjet e drurëve në Shqipëri,” thuhet në raport. “Pavarësisht moratoriumit, këto praktika vazhdojnë të ndodhin pa pengesa.” / DW