“O plaçkitës, Porti është afera jote” Ahmetaj shpërthen ndaj Ramës dhe zbulon koncesionin 35 vjeçar të Porto Romanos

Ish numri dy i qeverisë Rama, Arben Ahmetaj, ka shpërthyer me akuza të rënda ndaj kryeministrit Edi Rama, duke denoncuar publikisht një tjetër aferë që sipas tij përbën grabitje të pastër të pasurisë publike dhe shkelje flagrante të ligjit në projektin e Porto Romanos.
Gjatë një interviste televizive, Ahmetaj deklaroi se qeveria po përgatit dhënien me koncesion të një terminali dhe magazine doganore për kompaninë “Lidl”, për një periudhë 35 vjeçare me rinovim automatik për 35 vite të tjera, përmes ligjit për investimet strategjike. Sipas tij, kontrata ende nuk është firmosur, por përfaqësues të kompanisë janë tashmë në terren dhe po veprojnë sikur marrëveshja të ishte fakt i kryer.
Ahmetaj e cilësoi këtë skemë si një privatizim indirekt të aseteve shtetërore, duke theksuar se bëhet fjalë për ekskluzivitet absolut, ku brenda një rrezeje prej 5 kilometrash nuk do të lejohet asnjë aktivitet tjetër doganor. Ai theksoi se gjithçka po ndodh përpara se porti i ri të jetë ndërtuar, duke e bërë të paligjshme dhënien e një magazine doganore sipas Kodit Doganor.
Në qendër të akuzave janë edhe shpronësimet e pronave private në zonë, të cilat sipas Ahmetajt janë kryer nën alibinë e “interesit publik”, por realisht në favor të një subjekti privat. Ai ngriti dyshime të forta për interesa të fshehura dhe lidhje të errëta pas këtij projekti, duke theksuar se ka “shumë thashetheme” mbi atë se kush qëndron realisht pas tij.
Duke iu drejtuar drejtpërdrejt kryeministrit, Ahmetaj përdori një gjuhë jashtëzakonisht të ashpër:
“O i marrë. O plaçkitës. Nuk jepet magazina doganore si investim strategjik. Çfarë do? Porti është afera jote? Po e kap njëherë e mirë portin ti, që deri kur të vdesësh ta kesh portin tënd? 35 vjet plus 35 vjet, që ta trashëgosh në mënyrë të padrejtë pasurinë e shqiptarëve”.
Ai theksoi se ajo që po ndodh është përdorim kriminal i ligjit për investimet strategjike për të privatizuar pronën shtetërore dhe për ta shpërndarë sipas interesave të caktuara politike dhe ekonomike.
Ahmetaj ftoi hapur SPAK-un dhe median që të hetojnë këtë koncesion, duke u shprehur se është i gatshëm të dorëzojë të gjitha dosjet dhe dokumentet që disponon. “Ja ku e ke dosjen, do ta jap me vete. Të gjitha dosjet do t’i jap me vete. Është skandal”, u shpreh ai.
Në fund, ish zv.kryeministri bëri thirrje që kjo aferë të ndalet menjëherë, duke paralajmëruar se dëmi nuk është vetëm ndaj qytetarëve të shpronësuar, por ndaj gjithë vendit. Sipas tij, ndërtimi i një magazine doganore pa ekzistuar ende porti është një precedent i rrezikshëm dhe një tjetër kapitull në atë që ai e quan plaçkitje sistematike të pasurisë së shqiptarëve.
Read next
“Ku është mami?”/ Pas vrasjes së Arlinda Zekajt, djali 12-vjeçar përfundon në strehimore
Vrasja tragjike e Arlinda Zekajt në Kosovë ka lënë pas një tjetër viktimë të dhunës: djalin e saj…
Vrasja e Arlinda Zekajt, një muaj paraburgim për ish-bashkëshortin! Gjashtë raste penale ndaj tij, katër vetëm këtë vit
Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar një muaj paraburgim për Jeton Sylajn, ish-bashkëshortin e Arlinda Zekajt, e cila…
Vrau 22-vjeçaren shqiptare Ilaria Sula dhe e futi në valixhe, burg përjetë ish-të dashurit
Gjykata e Assizes në Romë ka dënuar me burgim të përjetshëm Mark Antony Samson, ish-të dashurin e 22-vjeçares…
“Arlinda thoshte se burri do ta vriste”/ Mikesha mes lotësh: Ishte dënuar në SHBA për dhunë, dyshoj se vrasja u planifikua
Dëshmi tronditëse për jetën e Arlinda Zekajt, 49-vjeçares që u vra në Pejë, vetëm tre ditë pasi kishte…