Pushimi nga puna i gazetarit Ilir Babaramo, menjëherë pas kritikave të shprehura ndaj qeverisë në lidhje me investimet që ka bërë në disa fusha të ndryshme, ngre një alarm serioz për lirinë e fjalës dhe pavarësinë e medias në vend.
Nëse një gazetar largohet nga ekrani sepse kritikon pushtetin, atëherë kemi të bëjmë me një shenjë të rëndë presioni politik dhe censurë të pastër, një realitet që sjell ndër mend hijet më të errëta të komunizmit, kur ndëshkohej kushdo që nuk përsëriste vijën zyrtare.
Sipas deklaratës publike të Ilir Babaramos, botuesi i Report TV, Carlo Bollino, i ka komunikuar personalisht ndërprerjen e marrëdhënies së punës gjatë një telefonate në orët e vona të mbrëmjes. Vetë gazetari ka zbuluar edhe arsyen tronditëse që, sipas tij, i është dhënë për largimin: “Nuk pranoj që të punosh për mua dhe të kritikosh qeverinë”, një fjali që, nëse është thënë kështu, përbën një skandal të rëndë për klimën mediatike në Shqipëri.
Kjo është një ngjarje që prek në themel standardet demokratike të një vendi që pretendon pluralizëm, debat të lirë dhe media të pavarura. Sepse një media që nuk toleron kritikën ndaj qeverisë nuk është më tribunë informimi, por zgjatim i propagandës. Një redaksi ku gazetari ndëshkohet për mendimin kritik nuk i shërben publikut, por pushtetit.
“Dje në orët e vona të mbrëmjes pronari i televizionit më ka telefonuar për të më komunikuar pushimin nga puna. Nuk pranoj që të punosh për mua dhe të kritikosh qeverinë, përsëriste pa pushim. Në këtë udhëkryq timin profesional dua të falënderoj të gjithë ata që besojnë se e vërteta nuk ka çmim. Bashkëpunimi im me televizionin Report tv është ndërprerë në mënyrë të njëanshme”, shprehet Babaramo.
Rasti është i rëndë pikërisht sepse prek një nga shtyllat themelore të demokracisë: të drejtën për të kritikuar qeverinë pa u ndëshkuar. Kur kritika ndaj pushtetit kthehet në shkak për largim nga puna, sinjali që i jepet gjithë gazetarëve është i qartë dhe i frikshëm: ose hesht, ose paguan çmimin. Kjo është logjika e regjimeve që kanë frikë nga fjala e lirë, jo e një shoqërie demokratike.
Në këtë histori shfaqen qartë hijet e një mentaliteti të vjetër, ku media nuk duhet të kontrollojë pushtetin, por t’i shërbejë atij. Pikërisht këtu lind krahasimi i fortë me komunizmin, jo si figurë letrare, por si reflektim i një fryme të rrezikshme që kërkon bindje, jo gazetari; nënshtrim, jo pyetje; duartrokitje, jo kritikë.
Kemi të bëjmë me një skandal që shkon përtej një televizioni dhe një emri të njohur. Kemi të bëjmë me një gjendje alarmante të lirisë së medias në Shqipëri, aty ku gazetari rrezikon vendin e punës jo për mungesë profesionalizmi, por sepse guxon të mos jetë në një linjë me qeverinë. Dhe ky është një realitet që nuk duhet normalizuar kurrë.








