Nuk mjafton lirimi i protestuesve: Kush dha urdhër për dhunën dhe kush mban përgjegjësi?

Lirimi i protestuesve të ndaluar nuk e mbyll ngjarjen. Përkundrazi, e hap më shumë. Sepse pamjet e qytetarëve të tërhequr zvarrë në rrugë nuk mund të kalohen me një fjali të thatë institucionale dhe as me logjikën se, përderisa u liruan, gjithçka përfundoi.
Nëse protestuesit u ndaluan me bazë ligjore, Policia e Shtetit duhet të bëjë publike arsyet, veprimet konkrete që i atribuohen secilit dhe procedurën e ndjekur. Nëse ndalimet nuk kanë pasur bazë të fortë, atëherë çështja është shumë më e rëndë.
Kjo nuk është hera e parë që sjellja e forcave të sigurisë bëhet pjesë e krizës politike që ka shoqëruar protestat e fundit. Më herët, përplasjet u lidhën me roje private dhe kontrollin e hapësirës publike. Tani çështja është edhe më serioze, sepse në qendër është Policia e Shtetit, ndalimi i qytetarëve dhe mënyra se si protestuesit u trajtuan në mes të rrugës.
Përgjigjja nuk mund të jetë: u liruan, pra mbaroi. Nuk mbaron aty. Nëse qytetarët u liruan pa akuza serioze, atëherë duhet shpjeguar pse u morën. Nëse u dhunuan, duhet identifikuar kush i dhunoi. Nëse ndërhyrja është kryer me urdhër, duhet zbardhur kush e dha atë urdhër. Dhe nëse vendimi ka qenë politik, përgjegjësia nuk mund të ndalet te efektivi në terren.
Protesta nuk duhet të lejojë që kjo ngjarje të trajtohet si incident i vogël apo si keqkuptim operacional. Duhet kërkuar identifikimi i efektivëve të përfshirë, hetim nga AMP, reagim nga Avokati i Popullit, verifikim nga prokuroria dhe përgjegjësi për të gjithë zinxhirin komandues.
Sepse qytetari nuk mund të tërhiqet zvarrë në rrugë, të mbahet në polici dhe më pas t’i thuhet se gjithçka u mbyll me lirimin e tij. Lirimi nuk e fshin dhunën. Nuk e fshin urdhrin. Nuk e fshin përgjegjësinë.
Kush dha urdhër dhe kush do të mbajë përgjegjësi?