Nuk i mjaftojnë patronazhistët/ Rama shpik rekrutimin e ri të propagandës

Pas patronazhistëve, administratës së përdorur si ushtri elektorale dhe një makinerie komunikimi që prej vitesh kontrollon me kujdes çdo mesazh që del nga qeveria, kryeministri ka prezantuar “shpikjen” e radhës: rekrutimin e të rinjve, profesionistëve, ekspertëve dhe krijuesve në të ashtuquajturin “Rrjeti MIA”.
Zyrtarisht, Agjencia për Media dhe Informim e paraqet nismën si një mundësi për ata që duan të kontribuojnë në komunikimin publik. Rama vetë e promovoi si pjesë të “Kthesës së Mandatit të Katërt”, duke njoftuar se do të “hapen dyer të reja për ata që duan të shërbejnë në sektorin publik”.
Por problemi është pikërisht se çfarë lloj shërbimi kërkohet dhe kujt duhet t’i shërbejë ai.
Në një shtet normal, profesionistët e komunikimit publik duhet t’i shërbejnë qytetarit: ta informojnë saktë, profesionalisht dhe me ndershmëri për atë që bën qeveria me taksat, institucionet dhe pushtetin që i është besuar. Shqipëria e Edi Ramës ka treguar prej vitesh një tjetër obsesion: jo vetëm të qeverisë, por edhe të kontrollojë mënyrën se si qytetarët duhet ta shohin qeverisjen.
Tani kërkohen pikërisht njerëz me aftësi në “komunikim, media, rrjete sociale, teknologji, inteligjencë artificiale, video, dizajn, të dhëna dhe formate të reja komunikimi”. Pra, një brez i tërë profesionistësh që di jo vetëm të prodhojë informacion, por ta paketojë, shpërndajë dhe bëjë bindës atë.
Dhe këtu qëndron thelbi i problemit.
Sepse Ramës nuk i mjaftojnë më vetëm patronazhistët klasikë që trokasin derë më derë dhe mbledhin vota e të dhëna. Në mandatin e katërt propaganda kërkon një version më modern: njerëz të medias, ekspertë të rrjeteve sociale, dizajnerë, profesionistë të videos, teknologjisë dhe tashmë edhe të inteligjencës artificiale.
Njerëz që dinë ta bëjnë të zezën të duket e bardhë. Që korrupsionin ta paketojnë me terminologji më të butë, përgjegjësinë politike ta tretin mes “shpërdorimit të detyrës”, procedurave dhe burokracisë, ndërsa milionat e miliardat e parave publike të duken sikur janë ngrënë gjithmonë nga dikush “pas shpine”, por asnjëherë nga ai që drejton sistemin dhe hedh firmat.
Këtë logjikë Rama e ka demonstruar vetë vazhdimisht. Kur skandalet prekin njerëzit që ka zgjedhur, emëruar apo mbajtur pranë pushtetit, përgjegjësia individualizohet. Kryeministri distancohet, ndërsa përgjegjësitë politike humbasin mes metaforave me mollë, dardha e pjeshkë. Të tjerët hanë, të tjerët vjedhin, të tjerët gabojnë; ai vetëm firmos, qeveris dhe vazhdon përpara.
Tani duhet edhe një ushtri më moderne për t’ua komunikuar këtë shqiptarëve. Një mënyrë e re rekrutimi.
Thirrja u drejtohet të rinjve. Pikërisht atyre që për vite janë përballur me paga të ulëta, mungesë perspektive dhe një vend nga i cili qindra mijëra kanë zgjedhur të largohen për të ndërtuar diku tjetër jetën dhe ëndrrat e tyre.
Pasi ua ngushtoi mundësitë dhe ia bëre emigrimin një prej alternativave kryesore, tani u hap derën e propagandës. U hedh një kockë dhe u kërkon në këmbim aftësitë e tyre, kreativitetin dhe, në rastin më të keq, edhe pikën e fundit të dinjitetit: të punojnë për t’ua shitur shqiptarëve si sukses pikërisht realitetin që i shtyu shumë prej tyre të iknin.
Rama e mbyll thirrjen me fjalët: “Nuk duam të dimë vetëm çfarë ke bërë deri sot.”
Në fakt, kjo është ndoshta fjalia që përmbledh më mirë “Kthesën e Mandatit të Katërt”. Pas tre mandatesh nuk mjafton më ajo që është bërë deri sot. Duhet një mënyrë e re për ta treguar nesër.
Patronazhistët nuk mjaftojnë më. Tani duhen profesionistët e propagandës.