Nuk është Kanye West ai që na ka borxh një reagim: Janë artistët shqiptarë!

Që prej shpalljes së koncertit të Kanye West, që do të mbahet sot në Shqipëri, emri i tij është bërë pjesë e debatit për protestat kundër qeverisë. Në rrjetet sociale nuk kanë munguar thirrjet që koncerti i artistit të mos zhvillohet, të bojkotohet, apo që edhe vetë Kanye të distancohet nga zhvillimet politike që po ndodhin në vend.
Megjithatë, ndoshta fokusi është zhvendosur në adresën e gabuar.
Kanye West nuk është politikan shqiptar. Nuk është qytetar shqiptar. Nuk ka jetuar këtu, nuk ka votuar këtu dhe nuk ka përfituar për vite me radhë nga mbështetja e publikut shqiptar. Ai është një artist që është kontraktuar për të mbajtur një koncert dhe, si çdo artist tjetër, do të vijë të bëjë punën për të cilën është paguar.
Problemet e Shqipërisë nuk janë barrë e tij.
Nëse sot dikush ka një detyrim moral të flasë, ata nuk janë artistët e huaj. Janë artistët shqiptarë.
Janë këngëtarët që kanë mbushur sheshet, stadiumet dhe sallat falë publikut shqiptar. Janë ata që për vite me radhë janë ndjekur, duartrokitur dhe mbështetur nga shqiptarët. Janë ata që kanë ndërtuar karrierën, famën dhe të ardhurat mbi dashurinë e këtij publiku.
Dhe pikërisht ata, në një nga momentet më të rëndësishme të debatit publik të viteve të fundit, kanë zgjedhur të heshtin.
Prej javësh, mijëra qytetarë protestojnë. Debati për përdorimin e parave publike, për projektet e qeverisë, për mënyrën se si po drejtohet vendi dhe për kërkesat e protestuesve ka dominuar jetën politike. Megjithatë, nga një pjesë e madhe e artistëve shqiptarë nuk është dëgjuar pothuajse asnjë reagim.
Është e vështirë të kuptohet se si njerëz që jetojnë në këtë vend, punojnë në këtë vend dhe kanë ndërtuar gjithçka falë këtij publiku, nuk gjejnë asnjë fjalë për atë që po ndodh përreth tyre dhe me vendin e tyre.
Heshtja absolute e pothuajse një industrie të tërë artistike është e papranueshme. Reagimi i tyre është borxh ndaj këtij vendi.
Koncerti është vetëm një pasojë e një vendimmarrjeje të marrë nga institucionet shqiptare. Përgjegjësia për atë vendimmarrje nuk mund t’i kalojë artistit që është ftuar të performojë.
Prandaj ka ardhur koha që kërkesat të drejtohen aty ku kanë kuptim, jo te një artist i huaj që nuk ua ka borxh shqiptarëve reagimin e tij.
Nuk mund të kërkosh duartrokitjet e publikut kur ke nevojë për to dhe të mos gjesh asnjë fjalë për të kur ai, prej 42 ditësh, s’ka reshtur së protestuari në rrugë.
Në fund të fundit, askush nuk u kërkon artistëve shqiptarë të zgjidhin krizën politike të vendit. U kërkohet vetëm të mos sillen sikur ajo nuk ekziston.