Skip to content
Aktualitet

Nisja e hetimeve për Luan Dacin, reagon ish-prokurorja: Në KPA ndodhen njerëz që nuk e njohin Kodin Penal

· 3 min lexim

Luan Daci nga sot nuk do të jetë më gjyqtar i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, pasi është pezulluar nga detyra.

SPAK në një njoftim për shtyp sqaron se shkak për këtë pezullim është bërë fshehja e shkarkimit të tij nga detyra në vitin 1997.

Ajo që ka reaguar pas nisjes së hetimeve nga SPAK në lidhj me Dacin është edhe ish-prokurorja Antoneta Sevdari.

Kjo e fundit shprehet se anëtarët në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit zgjodhën personat që nuk e njihnin Kodin Penal dhe në vend që të reformimonin drejtësinë shqiptare, e shkatërruan atë në themele.

Ish-prokurorja akuzon Dacin, duke thënë se ai me paturpësi ka falsifikuar dhe ka gënjyer Kuvendin duke u zgjedhur si anëtar të KPA.

“Shqipëria do krijonte Drejtësinë e Re. Të parët që do shkelnin tapetin e Drejtësisë së Re, ishin Gjyqtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Fatkeqësisht, Anëtaret e Kolegjit te Posaçëm te Apelimit, u zgjodhën ish-studentë me rezultate të dobëta, persona të cilët nuk e njihnin Kodin Penal dhe kishin dhënë dënime me vdekje në mungesë të dispozitës.

Ata falsifikuan dhe paturpësisht gënjyen KUVENDIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË; të cilët nuk e kishin idenë ku ndodhej zyra e pagimit të taksave dhe tatimeve pasi nuk kishin lidhje me procesin e deklarimit dhe pagimit te taksave.

Pra të cilët nuk plotësonin disa kushte zgjedhshmërie.

Këta persona jo vetëm që nuk e reformuan drejtësinë shqiptare, por përkundër nga sa pritej e shkatërruan me themel.

Çdo shqiptar i Republikës së Shqipërisë duhet të ndihet i keqardhur, i turpëruar dhe i revoltuar që në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, të Gjykatës Kushtetuese , qëndrojnë në shumicë njerëz pa integritet moral dhe profesional.

Ky konkluzion është thënë më herët nga Avokati i Popullit, në momentin kur i ka skualifikuar disa prej tyre, dhe sot fjalën e saj e tha Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

U bëj thirrje autoriteteve shqiptare dhe ndërkombëtare t’i shikojnë më në fund me vëmendje këto fakte sepse siç thotë fjala e urtë popullore “dielli nuk mbulohet me shoshë”?

Pas këtij hapi brenda vendit, shpresa mbetet tek Gjykata e Strasburgut, e cila ka në shqyrtim dhjetëra çështje magjistratësh të gjykuara nga këta njerëz, prania e të cilëve në trupa gjykuese cenon parim për një proces të rregullt ligjor“, shkruan Antoneta Sevdari në reagimin e saj.

Kush është Luan Daci?
Gjyqtari Luan Daci është shkarkuar në vitin 1997 nga sistemi i drejtësisë, për shkelje të ligjit dhe paaftësi në detyrë.

Vendimi është marrë më 24 dhjetor të vitit 1997, në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, institucion tashmë i shkrirë nga reforma në drejtësi, në krye të të cilit në atë kohë, ishte Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Rexhep Mejdani.

Daci, në deklarimin që ka bërë më 18 nëntor 2016 në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, ka thënë se është vetëlarguar nga sistemi më 1997, por SPAK, ka arritur të provojë se Daci ka mashtruar institucionet shqiptare.