Skip to content
Aktualitet

“Në mëshirë të fatit” prej 6 ditësh/ Mungon ilaçi kryesor i trajtimit të kancerit të gjirit, Manastirliu ende asnjë përgjigje

· 2 min lexim

Në një kohë që ministrja e Shëndetsisë  Orgeta Manastirliu bën fushatë nga spitali në spital për arritjet dhe përparimet në sistemin e shëndetësisë, faktet flasin ndryshe.

Momentalisht medikamenti kryesor i trajtimit të kancerit të gjirit mungon në shërbimin onkologjik që prej datës 23 shkurt. Ky shqetësim është ngritur nga vetë qytetarët, familjarët e të cilëve vuajnë nga kjo sëmundje.

Marku nga Tirana ka bashkëshorten që trajtohet prej 9 muajsh me medikamentin “Palbociclib”, por ka 6 ditë që e ka ndërprerë kurën për mungesë të ilaçit në shërbimin onkologjik.

Denoncimi është bërë nga familjarët që thonë se i janë drejtuar të gjitha instancave përfshirë kryeministrit Rama. Familjari thotë se lista e kërkesave për këtë medikament është e gjatë por pavarësisht këtij fakti nuk ka asnjë reagim zyrtar duke nisur nga numri një i qeverisë të cilit i është drejtuar personalisht me një email.

Në përgjigjen e shkurtër të dhënë, spitali nuk jep asnjë informacion duke u justifikuar se çështja e medikamenteve spitalore është përgjegjësi e FSDKSH dhe se çdo informacion duhet kërkuar me shkrim, ku afatet e kthimit të përgjigjes kërkojnë minimumi një muaj kohë, të cilën pacienti me tumor nuk e ka.

Kujtojmë se vetëm pak ditë më parë, më 4 shkurt, në ditën botërore të kancerit, ministra Manastirliu bëri apel për të shfrytëzuar  më shumë kontaktin me mjekun e familjes për të parandaluar dhe identifikuar në kohë sëmundjet tumoriale. Më tej ministrja nuk harroi pa vënë në dukje arritjet e qeverisë në Shëndetësi, duke përmendur se rreth 15 mijë pacient janë trajtuar në spitalin onkologjik gjatë muajve të pandemisë.

Vlen të theksohet se në vendin tonë identifikohen  rreth 6 mijë raste të reja të tumoreve në vit, 90% e të cilave menaxhohen dhe trajtohen nga sistemi shëndetësor publik. Por në kushtet e mungesës së barnave dhe vonesave, sikurse dhe në rastin e përmendur më sipër, mijëra qytetarë detyrohen të ndërpresin trajtimin duke i lënë kohë sëmundjes të përparojë.