Skip to content
Të Gjitha

Ndodhet në qeli për blerje votash, zbulohet data kur Fredi Beleri del në GJKKO

· 2 min lexim

Fredi Beleri, e cili e fitoi nga burgu bashkinë e Himarës del para Gjykatës së Posaçme ditën e hënë në orën 13:00.  Ai do të vlerësohet me masën e sigurisë edhe nga kjo gjykatë, pasi Gjykata e Vlorës shpalli moskompetencën. Gjyqtare e çështjes është Atalanta Zeqiri, ndërsa do të përfaqësojë organin e akuzës (SPAK), Dorina Bejko.

Vlen të theksojmë se FrediBeleri u arrestua gjatë orëve të para të mëngjesit të së premtes, dy ditë përpara zgjedhjeve, nën dyshimet si i përfshirë në shit-blerjen e votave. Ai u shoqërua nga efektivë të prokurorise Vlorë, në drejtim të komisariatit dhe më pas u transferua në komisariatin e Vlorës.

Bashkë me Belerin u shoqëruan dhe dy persona të tjerë, njëri prej të cilëve bën pjesë në shtabin e Fredi Belerit. Personi në fjalë vuante nga problemet e zemrës, dhe disa orë pas shoqërimit të tij në polici është thirrur ambulanca që e ka marrë dhe e ka transferuar drejt spitalit pasi ka shfaqur probleme.

Pas tre orësh nga shoqërimi u lirua avokati personal i Fredi Belerit si dhe njëri prej të shoqëruarve.  Në fletën e arrestit të lëshuar ndaj Belerit theksohet se ai u ndalua në flagrancë duke blerë vota, ndërkohë që në dosjen hetimore thuhet se shitblerja e votave ndodhi në mesditë nga një i afër i Belerit dhe arrestimi i tij u bë në darkë.