Skip to content
Të Gjitha

Më në fund dakordësi mes mazhorancës dhe opozitës, pranohet formula e PD-së për zgjedhjen e anëtarëve të KQZ-së

· 2 min lexim

Më në fund është arritur marrëveshja mes opozitës dhe maxhorancës në Këshillin Politik. Sipas informacioneve mësohet se maxhoranca ka pranuar propozimin e tretë të opozitës për zgjedhjen e KQZ-së së re, pasi gati 5 orësh diskutime.

Mbledhja ka nisur që në orën 17:00, por palët kanë rënë darkord pas diskutimeve të shumta.

Shumica qeverisëse ka pranuar propozimin e tretë të Partisë Demokratike, sipas të cilit anëtarët e KQZ -së do të zgjidhen nga një komision parlamentar, ku opozita do të ketë një përfaqësues të vetin me të drejtë vetoje.

Ky përfaqësues zgjedh 2 nga 5 anëtarët e trupit rregullator dhe 2 nga 5 anëtarët e trupit të apelimit. Emrat më pas kalojnë në Kuvend për tu votuar.

Në lidhje me përzgjedhjen e Komisionerit, do jetë mazhoranca ajo që do të propozojë 4 emra, më pas opozita përzgjedh 2 prej tyre, të cilët shkojnë në Kuvend për tu votuar.

Kjo marrëveshje e arritur sot do të dërgohet në Kuvend për tu miratur në Komisionin e Posaçëm të Reformën Zgjedhore dhe më pas në seancë plenare.

Pas mosarritjes së dakordësisë për formulën e përzgjedhjes së anëtarëve të KQZ-së, PD propozoi dy variante për përzgjedhjen e anëtarëve të KQZ.

Fillimisht u propozua që anëtarët e KQZ-së, të përzgjidhen nga Avokati e Popullit, por kjo nuk u pranua nga PS.

Në propozimin e dytë gjithë procedura e përzgjedhjes së anëtarëve të KQZ-së së re do të zhvillohet brenda kuvendit.