Dje nuk ishte thjesht një ditë e rëndë. Ishte panorama më brutale e një sistemi drejtësie të dorëzuar, të lodhur, të kapur ose thjesht të zhdukur nga përgjegjësia. Brenda pak orësh, tre vendime të ndryshme gjyqësore mjaftuan për t’i treguar çdo qytetari se në këtë vend drejtësia nuk është as e barabartë, as e drejtë. Ajo është selektive, e përkulshme, e llogaritur, është e verbër përballë viktimave.
Në Gjykatën e Apelit të Posaçëm u ul dënimi i Aksel Hoxhës për vrasjen e Stiven Toshkëzit: nga 18 vite në vetëm 12. Mamaja e Stivenit nuk duroi dot. Foli me emra, me akuza, me dëshpërim të pastër:
Sot, gjyqtarët kriminelë të Gjykatës së Apelit, Brikena Ukperaj, Marsela Pepi, Dritan Hasani, më vranë djalin për herë të dytë, duke ulur dënimin e shkallës së parë nga 18 vjet heqje lirie për autorin, me 12 vjet burg. Saga e korrupsionit ka filluar nga Gjykata e Shkallës së Parë, nga prokurori Albert Demirneli, i cili ka bërë një dosje për Stivin, ku ai është i akuzuari kryesor, ndërsa vrasësi është një qytetar model.
Shpresa ime e vetme ishte drejtësia te Gjykata e Apelit, e cila sot vërtetoi që është e korruptuar në rrënjë. Thërrisja në oborrin e gjykatës “Të lumtë dora o çun, kështu e duan të gjithë këta që tallen me gjakun e të pafajshmëve!”
Brikena Ukperaj sot po shijon lekët e krimit, e vjedhjes së famshme të Rinasit, duke lënë të lirë Arbër Murataj, djalin e Admir Murataj, i cili ishte bashkëpunëtor në krim, por që gjyqtarja po e mbron me dhëmbë.
Aty brenda, policia nuk shoqëroi vrasës. Shoqëroi nënën e viktimës, vëllain dhe kunatën. Në këtë vend, drejtësia i trajton familjarët e të vrarëve si problem.
Vendimi i Stivenit nuk ishte i vetmi i asaj dite.
Në të njëjtën ditë, Gjykata lëshoi jashtë edhe vrasësit e Egli Progës. Jo sepse u provua pafajësia. As sepse u gjetën prova të reja. Por sepse prokuroria nuk mbaroi dot hetimet në kohë. Afatet skaduan. Ashtu si vdiq Egli Proga, u shua edhe dosja. Denis Meçe dhe Leonidha Guçe dolën jashtë pa asnjë pengesë.
Një vrasje brutale mbeti pa autor. Ndërkohë që Denis Meçe ka pesë arrestime të mëparshme, një histori të gjatë dhune, lidhje familjare të forta dhe një trajtim të përkëdhelur në çdo hallkë të drejtësisë. Një vit më parë, gjyqtarja e çështjes kërkoi t’ia zbusë akuzën nga vrasje me dashje në vrasje nga pakujdesia. Sot, thjesht e nxori nga paraburgimi.
Po të mos mjaftonte kjo, edhe një tjetër dosje u “shfry” dje: Metamorfoza. Gjykata e Posaçme liroi ish kreun e Operacionales, Oltion Bistrin, një nga emrat më të përfolur për korrupsion, lidhje me krim të organizuar, sekuestrim pasurish milionëshe dhe përfshirje në episode kriminale. U lirua edhe ish prokurori Xhevahir Lita. Arsyeja? Kanë vuajtur më shumë burg se dënimi final i dhënë pas gjykimit të shkurtuar.
Pra, më pak dënime nga ato të kërkuara nga SPAK. Pasuri të sekuestruara u kthyen. Dënime të buta. Lirim i menjëhershëm.
Tre dosje brenda një dite. Tre vendime skandaloze. Tre dëshmi që drejtësia shqiptare po rrëzohet me themele.
Një vrasje e provuar si ajo e Stiven Toshkëzit merr vetëm 12 vite dënim. Vrasësit e Egli Progës dalin të lirë për shkak të një afati. Oltion Bistri dhe një prokuror i korruptuar dalin nga qelia me vendim të butë.
Në këtë vend, drejtësia nuk vret krimin. Vret shpresën. Vret pafajësinë. Për të disatën herë, vërtetuan se edhe kur një nënë varros djalin, gjykatat janë të gatshme ta varrosin edhe një herë tjetër.







