Popullsia e Shqipërisë po përballet me një tendencë të vazhdueshme të uljes. Në tremujorin e parë të vitit 2025 janë regjistruar 4,982 lindje, duke shënuar një rënie prej 7.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur u regjistruan 5,380 lindje.
Sipas raportit të INSTAT-it, shtesa natyrore e popullsisë për tremujorin e dytë të vitit 2025 ka qenë pozitive, me 48 lindje më shumë sesa vdekje.
Në këtë periudhë, janë regjistruar gjithsej 4,982 lindje dhe 4,934 vdekje, që tregon një ulje përkatësisht prej 7.4% dhe 3.7% në krahasim me tremujorin e dytë të vitit 2024.
Nga ana rajonale, Tirana ka shënuar numrin më të lartë të lindjeve, me 1,982 raste, ndërsa Gjirokastra regjistroi numrin më të ulët, vetëm 74 lindje. Ndër qarqet e tjera, Kukësi shënoi rritjen më të madhe në përqindje, me 6.5%, ndërsa Korça pësoi rënien më të theksuar, me një ulje prej 26%.
Në tremujorin e dytë të vitit 2025, Tirana ka edhe shtesën natyrore më të lartë, me 691 lindje më shumë se vdekje, ndërsa Korça ka numrin më të lartë të vdekjeve në krahasim me lindjet, me 226 raste më shumë.
Kjo ulje e lindjeve është reflektuar edhe në shpenzimet për bonusin e bebeve, që për periudhën janar-qershor 2025 kanë rënë në 500 milionë lekë, nga 571 milionë lekë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke treguar ulje me 71 milionë lekë.
Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 janë regjistruar gjithsej 9,322 lindje (4,340 në tremujorin e parë dhe 4,982 në të dytin), krahasuar me 10,325 lindje në të njëjtën periudhë të vitit 2024. Kjo tregon një rënie të konsiderueshme, veçanërisht në tremujorin e dytë, ku shtesa natyrore ishte vetëm 48 lindje më shumë sesa vdekje.
Pothuajse të gjitha qarqet e vendit kanë regjistruar ulje të lindjeve përveç Kukësit, duke reflektuar dallime të thella midis zonave metropolitane dhe atyre rurale. Tirana, edhe pse me numrin më të madh të lindjeve, ka pësuar gjithashtu një rënie.
Këto shifra janë alarmante dhe ngrenë shqetësime për ndikimet afatgjata në tregun e punës, sistemin e pensioneve dhe qëndrueshmërinë e popullsisë aktive. Faktorët kryesorë që kontribuojnë në këtë trend negativ janë emigrimi i të rinjve, pasiguria ekonomike, ulja e fertilitetit dhe kostot e larta të jetesës.
Shumë çifte shtyjnë apo kufizojnë vendimin për të pasur fëmijë për shkak të mungesës së stabilitetit në punë, çmimeve të larta të banesave dhe kostove të rritura për edukimin dhe kujdesin e fëmijëve. Emigrimi i vazhdueshëm, sidomos nga zonat rurale, po ul ndjeshëm numrin e personave në moshë riprodhuese.
Nëse ky trend vijon, Shqipëria mund të përballet me një krizë demografike serioze, që do të ndikojë në të gjitha aspektet e zhvillimit social dhe ekonomik të vendit.