Skip to content
Kryesore

Lamallari: “Dikur policia vriste njerëz të pafajshëm, sot është e matur”/ ABSURDE! Që kur duhet t’i themi faleminderit policisë që nuk na vret?

· 3 min lexim

Deklarata e ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, se “kurrë më parë policia s’ka qenë kaq e matur”, sepse nuk ka vrarë protestues si në 21 janar, ngre një pyetje që në një shtet demokratik nuk duhet të ekzistonte kurrë: që kur mosvrasja e qytetarëve u kthye në sukses institucional?

Nëse do të thoni dhunë nga forcat e sigurisë dhe jo proporcionale, jemi në një vend ku pak metra më tutje, në këtë shtet proporcionaliteti shkonte fatalitet, ku njerëz të pafajshëm janë vrarë. Nëse ka diçka që të gjithë duhet të bien dakord është që sjellja e policisë, me gjithë provokimet, gurët e hedhur, akuzat, baltën, sjellja ka qenë shembullore. Kurrë më parë s’kemi parë një sjellje kaq të matur, me durim dhe vetëpërmbajtje”, u shpreh ministri.

Nëse standardi me të cilin matet sot Policia e Shtetit është fakti që nuk ka qëlluar për vdekje qytetarët, atëherë kemi një problem shumë më të madh. Kemi një ulje dramatike të pritshmërive ndaj një institucioni që paguhet pikërisht për të mbrojtur jetën, liritë dhe të drejtat e qytetarëve.

E drejta për jetën nuk është medalje që i jepet policisë. Nuk është trofe. Nuk është arritje. Është detyrimi më bazik që i imponon Kushtetuta, ligji dhe çdo standard demokratik. Askush nuk duhet të ndihet mirënjohës ndaj policisë sepse nuk e ka vrarë.

Është minimumi absolut që pritet nga funksioni që ushtrojnë.

Pikërisht për këtë arsye, përdorimi i 21 janarit si pikë krahasimi është problematik. Ajo ngjarje mbetet një nga plagët më të rënda të demokracisë shqiptare dhe nuk mund të shërbejë si matës për të ulur standardin e asaj që quhet polici profesionale. Standardi nuk është “sot nuk po vriten protestues”. Standardi duhet të jetë respektimi i plotë i të drejtave të qytetarëve në çdo protestë.

Sepse debati nuk mbaron te plumbi. Ai vazhdon te përdorimi i forcës, te shoqërimet, te ndalimet, te mënyra se si trajtohen qytetarët që ushtrojnë të drejtën kushtetuese për të protestuar.

Ndërkohë, prej javësh publiku ka parë pamje ku protestues tërhiqen zvarrë, shtyhen, goditen dhe neutralizohen me forcë. Për këto episode ka pasur reagime të shumta, denoncime dhe diskutime publike. Në vend të një reflektimi mbi proporcionalitetin e ndërhyrjeve, qytetarëve u thuhet se duhet të jenë të kënaqur sepse policia nuk ka vrarë askënd.

Kjo nuk është mënyra si funksionon një demokraci.

Policia nuk është krijuar për të qenë mburojë e pushtetit politik. Ajo duhet të jetë në shërbim të ligjit dhe qytetarëve, pavarësisht se kush qeveris.

Qytetarët nuk kërkojnë privilegje. Nuk kërkojnë trajtim të veçantë. Ata kërkojnë diçka elementare: të protestojnë pa u dhunuar, pa u frikësuar dhe pa u trajtuar si armiq.

Sa poshtë e kemi ulur standardin e demokracisë, nëse tani duhet të duartrokasim institucionet vetëm sepse respektojnë të drejtën më themelore të njeriut, të drejtën për të jetuar?