Skip to content
Të Gjitha

Lajmi bëri bujë në media/ A po përdoret deksametazoni tek të sëmurët me Covid-19 në Shqipëri?

· 3 min lexim

Lajmi se deksametazoni (Dexamethasone) përmirëson gjendjen shëndetësore të pacientëve të infektuar me Covid-19 është shpërndarë nga shumë media të njohura botërore.

Ditën e djeshme studiuesit britanikë të Universitetit të Oxford thanë se deksametazoni (Dexamethasone) që përdoret që prej viteve ‘60 për të zvogëluar inflamacionin për sëmundje të tilla si artriti, ul shkallën e vdekjes me rreth një të tretën në më shumë se 2 mijë pacientë të sëmurë rëndë me Covid-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.

Por çfarë thotë Organizata Botërore e Shëndetësisë për këtë studim?

Në një reagim zyrtar ditën e djeshme, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) mirëpret rezultatet fillestare të provës klinike nga Mbretëria e Bashkuar që tregojnë se Dexamethasone, mund të jetë shpëtues për pacientët që janë të sëmurë kritikë nga COVID-19.

Për pacientët me ventilatorë, trajtimi u tregua se zvogëlon vdekshmërinë me rreth një të tretën, dhe për pacientët që kërkojnë vetëm oksigjen, vdekshmëria u shkurtua me rreth një të pestën, sipas gjetjeve paraprake të ndara me OBSH.

Përfitimi u pa vetëm te pacientët e sëmurë rëndë me Covid-19 dhe nuk u vërejt te pacientët me simptoma më të buta.

“Ky është trajtimi i parë që tregohet për të zvogëluar vdekshmërinë tek pacientët me COVID-19 që kërkojnë mbështetje me oksigjen ose ventilator”, tha Dr Tedros Adhanom Ghebreyesus, Drejtori i Përgjithshëm i OBSH.

Por a po përdoret ky ilaç te personat e prekur nga Covid-19 në vendin tonë?

Kujtojmë këtu se ditën e djeshme shifrat e personave të infektuar arritën në 89 të prekur brenda 24 orëve, e ndërsa ditën e sotme Ministria e Shëndetësisë raportoi për 50 të prekur me Covid-19 në 24 orët e fundit.

Shefja e Infektivit, doktoreshë Najada Çomo ka deklaruar për “Balkan Web”se ky ilaç përdoret nga ky shërbim tek pacientët që kanë insuficiencë respiratore.

“Bari dexamethasone është një bar i përdorur në shërbimin infektiv dhe vijon të përdoret për personat që kanë insuficiencë respiratore në gjendje të rëndë, pra ajo që në gjuhën mjekësore quhet detresi respirator, që rëndon situatën e këtyre pacientëve”, deklaroi Çomo.

Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) pranoi sot se ky është trajtimi i parë që ul vdekshmërinë te pacientët me koronavirus.

“Ky është trajtimi i parë që shfaq uljen e vdekshmërisë te pacientët me Covid-19, të cilët trajtohen me oksigjen apo me ventilatorë”, tha drejtori i OBSH-së, Adhanom Ghebreyesus.

“OBSH-ja do të koordinojë të gjitha analizat e të dhënave, me qëllim që të kemi një kuptim më të qartë të ndikimit të këtij ilaçi.

Udhëzimet klinike të OBSH-së do të përditësohen, me qëllim që të tregojnë se si ky ilaç duhet të përdoret për pacientët me Covid-19”, thuhet në deklaratën e OBSH-së.