Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 92 vota pro një deklaratë për pafajësinë e ish-liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në kohën kur procesi gjyqësor ndaj tyre vijon në Hagë.
Në tekstin e miratuar, Kuvendi shprehet se, “Kuvendi, duke mbajtur parasysh të vërtetën historike të luftës së UÇK-së, thekson se kjo ushtri ishte një lëvizje legjitime çlirimtare që luftoi për të drejtat e njeriut. Kuvendi vëren me shqetësim se kërkesa e Prokurorisë Speciale rrezikon të krijojë një shtrembërim të rrezikshëm të historisë, duke barazuar luftën legjitime të një populli për mbijetesë dhe liri me krimet e regjimit serb, që kreu spastrim etnik dhe krime kundër njerëzimit ndaj popullit të Kosovës.”
Më tej, në deklaratë thuhet se, “Kuvendi i Shqipërisë deklaron mbështetje të plotë dhe të pakushtëzuar për drejtuesit e UÇK-së, që ishin dhe mbeten përfaqësues të aspiratave dhe të drejtave të popullit të Kosovës për liri dhe vetëvendosje. Lufta e tyre ishte e drejtë, e mbështetur në parimet universale të të drejtave të njeriut. I drejton kërkesë Dhomave të Specializuara në Hagë, komunitetit ndërkombëtar dhe institucioneve të drejtësisë ndërkombëtare që të deklarojnë pafajësinë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, përmes një procesi të drejtë dhe të paanshëm që respekton dhe nuk cenon dinjitetin e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës.”
Deklarata rikujton gjithashtu se lufta e UÇK-së u zhvillua në një periudhë kur regjimi i Sllobodan Millosheviçit po kryente spastrim etnik dhe akte gjenocidale ndaj popullatës civile të Kosovës, ndërsa thekson se ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 konfirmoi legjitimitetin e asaj lufte dhe natyrën kriminale të regjimit serb.
Në përfundim, Kuvendi shpreh solidaritet të plotë me popullin e Kosovës dhe familjet e drejtuesve të UÇK-së, duke theksuar se kombi shqiptar qëndron i bashkuar në mbrojtje të së vërtetës historike dhe dinjitetit të luftës për liri. Po ashtu, në deklaratë nënvizohet angazhimi për të ndërmarrë çdo hap të nevojshëm diplomatik dhe politik në forumet ndërkombëtare, me qëllim që e vërteta historike mbi luftën e UÇK-së të mos cenohet dhe drejtësia të ushtrohet në mënyrë të drejtë.








