Skip to content
Kryesore

Kur uleni përballë Manjanit, e dini me kë po debatoni? Nga protestues “langaraqë”, te revolta nga “mungesa e seksit” dhe polici që “nuk e mban armën për të kruajtur prapanicën”: Ju rikujtojmë qëndrimet e tij ndaj protestës

· 4 min lexim

Ylli Manjani u përball së fundmi në një studio televizive me studentin protestues Rei, duke marrë sërish rolin e komentatorit që u shpjegon të rinjve ligjin, protestën dhe kufijtë e saj. Por për çdo protestues që ulet përballë ish-ministrit të Drejtësisë, vlen një rikujtim: Manjani nuk është një vëzhgues i paanshëm i asaj që po ndodh prej muajsh në Shqipëri. Ai ka qenë ndër zërat që e kanë ironizuar, diskredituar dhe sulmuar publikisht lëvizjen, ndërsa kanë justifikuar reagimin e policisë.

Në debatin e 27 tetorit, në emisionin “Topin e kam unë”, Manjani përdori termin “langaraq” për protestuesit që përfshihen në përplasje dhe më pas ankohen se janë goditur.

“Me ligj, të dalësh në protestë me maska, nuk lejohet”, deklaroi ai, ndërsa studenti Rei kundërshtoi qëndrimin e tij, duke përmendur përdorimin e gazit lotsjellës dhe plumbave të gomës nga policia.

Por ky është vetëm episodi i fundit i një qëndrimi që Manjani e ka shprehur vazhdimisht.

Më 2 korrik, duke folur për ndërhyrjet policore, ish-ministri deklaronte:

“I është vënë arma policit në dorë për ta përdorur, jo për ta kruajtur prapanicën, ky është ligji.”

Më 10 shtator, për të njëjtët protestues që sot ulet t’i dëgjojë në studio, shprehej:

“Unë nuk harxhoj asnjë fjalë me ta, zero.”

Dhe shtonte:

“Është një përpjekje kaotike për të krijuar kaos.”

Më 14 tetor, Manjani nuk e trajtonte më lëvizjen thjesht si një protestë me të cilën nuk binte dakord.

“Nuk kemi më përpara një protestë të zakonshme”, shkruante ai, duke e përshkruar si “një fenomen dhune publike, me elemente organizimi dhe vazhdimësie”.

Dy ditë më vonë, teksa protestuesit denonconin përdorimin e forcës nga policia, Manjani gjente problem te organizimi i uniformave blu, jo te teprimi i mundshëm i forcës:

“Pra mund ta akuzosh si të paorganizuar për këto gjëra, por jo që po ushtron dhunë eksesive.”

Më 18 tetor, e përmblidhte qëndrimin e tij me fjalët:

“Kam thënë që në fillim se revolucionet janë fabrika dhune. Dhe ja ku jemi!”

Por Manjani nuk është mjaftuar me kritika juridike apo politike. Ai e ka kthyer protestën edhe në objekt talljeje.

Në korrik shkruante: “Ky i yni, mesa duket, lindi nga… mungesa e seksit.”

Në gusht, protestuesit dhe grupimet e tyre i përshkruante kështu:

“Trumpistat revolucionarë janë përplasur me Sorosistat e flamingove. Në mes hyjnë edhe ‘iranianët’ për t’i pajtuar.”

Ndërsa më 28 tetor, ironia u drejtua edhe ndaj studentëve dhe pedagogëve, në një opinion me titullin: “Arsimi që proteston për politikë, por që prodhon analfabetë”.

Këto nuk janë deklarata të një dite të keqe, as një reagim i vetëm pas një përplasjeje me policinë. Janë qëndrime të përsëritura gjatë muajve të protestës, nga një ish-ministër që e ka cilësuar lëvizjen kaotike, e ka ironizuar publikisht dhe ka mbrojtur mënyrën e reagimit të policisë në episode të caktuara.

Dhe pikërisht këtu lind pyetja për vetë protestuesit.

Kur uleni përballë Ylli Manjanit, a e dini me kë po debatoni?

A e dini se njeriu që sot ju flet për ligjin, më parë ju ka quajtur “langaraqë”, e ka përshkruar protestën tuaj si përpjekje për kaos dhe ka deklaruar se nuk do të harxhonte asnjë fjalë me ju?

Debati me kundërshtarët nuk është problem. Problemi fillon kur përballja kthehet në një diskutim të zakonshëm televiziv, ku harrohen deklaratat, etiketimet dhe qëndrimet e mëparshme të atij që qëndron përballë.

Manjani ka të drejtë të kundërshtojë protestën, të mbrojë policinë dhe të shprehë bindjet e tij. Por protestuesit kanë po aq të drejtë t’ia vendosin përpara secilën prej këtyre deklaratave dhe t’i kërkojnë përgjigje.

Sepse ai nuk është thjesht një jurist që po shpjegon ligjin. Është një figurë publike që prej muajsh ka mbajtur një qëndrim të qartë për lëvizjen.

Dhe përpara se protestuesit t’i japin sërish hapësirën e një arbitri në debat, le t’i kujtojnë vetes çfarë ka thënë për ta.