Në fillim e injoruan protestën. Pastaj e tallën. Pastaj e quajtën të manipuluar, të huaj, të lidhur me Iranin, Greqinë, Serbinë, Rusinë, algoritmin, me këdo përveç qytetarit shqiptar.
Tani po shfaqet një sinjal edhe më i rëndë: presioni mbi jetën e përditshme të protestuesve.
Nga shoqërimet dhe arrestimet, te rastet e raportuara për biznese të qytetarëve aktivë në protestë, duket sikur pushteti nuk po merret më vetëm me turmën në shesh, por me individin pas protestës: punën e tij, të ardhurat, biznesin, familjen.
Rasti i raportuar për bllokimin e një biznesi në Booking, të lidhur me një person aktiv në protestë, duhet hetuar seriozisht. Nëse institucione shqiptare kanë përdorur kanale zyrtare apo informale për të dëmtuar të ardhurat e një qytetari për shkak të qëndrimit politik, atëherë nuk jemi më vetëm te propaganda. Jemi te hakmarrja politike me mjete ekonomike.
Dhe kjo është shumë e rëndë.
Qytetari që del në protestë nuk kërkon privilegj. Ushtron një të drejtë. Një shtet që i përgjigjet kësaj të drejte duke i prekur punën, biznesin apo bukën e familjes, nuk po mbron rendin. Po hakmerret.
Prandaj çdo rast duhet dokumentuar. Me emra, data, shkresa, email-e, përgjigje nga platforma, institucione të përfshira, dëshmi dhe rrugë ligjore.
Sepse prova e nxjerr këtë histori nga rrjetet sociale dhe e çon aty ku duhet: te drejtësia, te institucionet ndërkombëtare, te partnerët europianë.
Çdo arrestim i padrejtë duhet regjistruar.
Çdo gjobë e dyshimtë duhet publikuar.
Çdo bllokim biznesi duhet ndjekur ligjërisht.
Çdo presion mbi familjarë, punonjës apo qytetarë aktivë duhet denoncuar.
Pushteti do që njerëzit të mendojnë: “Mos dil, se të prekin punën.”
Përgjigjja duhet të jetë e qartë:
Nëse prekni një qytetar pse proteston, do ta marrë vesh e gjithë Europa.







