Kur preken oligarkët mediat “çohen në këmbë”, për 200 llogari të bllokuara për të heshtur protestën, mbyllin gojën

Kur shqiptarët u organizuan dhe vërshuan me “bad reviews” në Google ndaj bizneseve të Gjergj Lucës, Noizy-t, Shefqet Kastratit, Samir Manes apo emrave të tjerë e oligarkësh, një pjesë e mediave të mëdha u hodh menjëherë në mbrojtje të tyre. Televizione kombëtare e një pjesë e mirë e mediave online e kthyen në çështje alarmante atë që po ndodhte me vlerësimet online të bizneseve.
U bë lajm. U ngrit shqetësimi. U fol për dëmin ndaj bizneseve dhe pati një mobilizim mediatik sikur po ndodhte një ngjarje me rëndësi kombëtare.
Ndoshta nuk është edhe aq e vështirë të kuptohet kjo ndjeshmëri e jashtëzakonshme kur preken bizneset e njerëzve të fuqishëm. Të njëjtët oligarkë dhe biznese të mëdha janë edhe financuesit përmes reklamave të tregut mediatik, ndaj publiku ka të drejtë të pyesë se ku mbaron interesi për informimin dhe ku fillon interesi ekonomik.
Por sot po ndodh diçka shumë më serioze dhe zhurma nuk dëgjohet.
Mbi 200 faqe dhe profile në Instagram raportohet se janë mbyllur dje pothuajse në të njëjtën kohë, mes tyre llogari që kanë mbështetur, promovuar apo shpërndarë protestën.
Dhe papritur nuk qenka më lajm.
Mediat që u shqetësuan për yjet e Google të bizneseve të oligarkëve nuk po tregojnë të njëjtin shqetësim kur nga Instagrami zhduken në bllok zëra që mbështesin një protestë kundër qeverisë.
Kjo nuk është hera e parë.
Edhe në fillim të protestës pati një valë goditjesh ndaj profileve që e mbështesnin atë, pikërisht në një moment kur protesta po përpiqej të fitonte terren dhe të shpërndahej përmes rrjeteve sociale. Ajo që atëherë mund të tentohej të paraqitej si një episod i izoluar, sot është shumë më e vështirë të shpërfillet.
Për herë të dytë, ndërsa protesta zhvillohet, po goditen kanalet që i japin asaj zë në Instagram.
Protesta po tentohet të heshtet në rrjetet sociale. Kemi të bëjmë me raportime masive dhe të koordinuara. Por kush po i raporton këto llogari? A janë përdorur mekanizma të tjerë për të shkaktuar mbylljen e tyre? Dhe pse goditja po prek pikërisht profile që kanë qenë aktive në mbështetje të protestës?
Meta nuk mund të qëndrojë pa dhënë përgjigje. Por as mediat që deri dje thërrisnin me të madhe për padrejtësinë e reviews, s’mund të heshtin papritur sot.
Kur preken ata që kanë para dhe pushtet, bëhet nami. Kur mbyllen qindra profile dhe ngrihen dyshime se po tentohet të heshtet protesta për herë të dytë, shumë prej tyre bëjnë sikur nuk po ndodh asgjë.
Këtë herë, megjithatë, pyetja nuk mund të fshihet bashkë me një llogari Instagrami:
Kush po përpiqet ta fikë zërin e protestës dhe pse Meta po lejon që kjo të ndodhë pa asnjë shpjegim publik?