I dërguari special i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka thënë se Kosova dhe Serbia kanë rënë dakord që Liqeni i Ujmanit, të quhet “Liqeni Trump”. Këtë e ka bërë të ditur përmes një shkrimi në Twitter.
“Ajo se si të quhet liqeni që gjendet në Kosovë dhe Serbi, ka qenë një pikë serioze pavarësisht kompromisit për studim të fizibilitetit për të krijuar vende pune dhe më shumë energji për rajonin… kështu që të dyja palët kanë rënë dakord për një emër të ri: Liqeni Trump”,– ka thënë Grenell.
Gjithçka nisi si një ide për të qetësuar negociatat midis delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, por ideja për të emëruar Liqenin e Gazivodës / Ujman “Liqeni Trump” siç shihet në foto duket më serioze nga sa mendohej fillimisht.
Një ide që filloi si një shaka për Liqenin e Ujmanit, të cilin serbët i referohen si Gazivoda, për të gjetur një emër kompromisi duket se po merr formë. Gjatë negociatave në Shtëpinë e Bardhë, i dërguari presidencial i SHBA për dialogun, Richard Grenell, dha idenë që liqenit t’i vinte emrin Trump.
Fillimisht të gjithë qeshën me idenë, por edhe kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti shprehu gatishmërinë e tij për të mbështetur idenë e Grenell në një takim me të. E njëjta ide u miratua edhe nga Presidenti serb Aleksandar Vuçiç në një takim tjetër.
Debati, dhe më vonë marrëveshja, rreth Liqenit të Ujmanit kanë shkaktuar një valë reagimesh në Kosovë. Kosova ka arritur një marrëveshje me SHBA për Departamentin e Shtetit për të kryer një studim të fizibilitetit se si të ndajnë burimet e liqenit.
Liqeni i Ujman / Gazivoda ndodhet kryesisht në territorin e Kosovës por pothuajse 20 përqind e tij është pjesë e territorit të Serbisë. Ky liqen artificial u grumbullua dekada më parë nga kompania “Iber Lepenci”, në kohën kur Kosova ishte pjesë e Jugosllavisë. Pas përfundimit të luftës në 1999, u krijua një tension i madh në lidhje me liqenin pasi Kosova e konsideron atë si pronë të saj, ndërsa Serbia pretendon pronësinë e saj pasi që një pjesë e saj është në Serbi.
Ndërsa politikanët merren me këtë temë nga ana teorike, dikush nuk ka mbetur kryq. Siç shihet në foto, ky liqen dhe ura e vendosur në Bernjake, veri të Kosovës, janë emëruar pas Presidentit të Sh.B.A.