Klosi tenton t’i veshë protestës petkun politik, por ajo nuk ka negociatorë

Sipas një zakoni tashmë të njohur të pushtetit, Edi Rama përdor figura të papërgjegjshme brenda oborrit të tij, qofshin këta të veshur me petkun e politikanit apo të medias, për të prodhuar diversion dhe për të ndikuar opinionin publik mbi protestën qytetare.
Këtë rol këtë herë e ka marrë deputeti socialist Blendi Klosi, i cili, i ftuar në Euronews Albania, u përpoq ta paraqiste protestën si një lëvizje që tashmë është kanalizuar politikisht dhe që duhet të identifikojë drejtuesit me të cilët pushteti mund të dialogojë.
“Me sa duket protesta po merr qëndrim të pastër politik dhe kjo do të lehtësojë dialogun me politikën e përfaqësuar nga protestuesit. Pra, më në fund do të shfaqen kush drejton, kush do paraqitet në emër të tyre, do fillojnë të kenë kërkesat e tyre tashmë të formuluara pak a shumë. Gjëja do të shkojë drejt debatit politik dhe drejt zgjedhjeve ku mbase do të ketë kandidatë përfaqësues të këtyre grupimeve dhe do të garojnë”, tha ai.
Por protesta qytetare nuk ka përfaqësues politikë dhe nuk ka asgjë për të negociuar në tavolinë me qeverinë. Kërkesat e saj janë shprehur publikisht dhe nuk kanë nevojë për ndërmjetës politikë të përzgjedhur apo të njohur nga pushteti.
Edhe grupimet politike që kanë nisur të shfaqen pranë protestës nuk kanë lindur prej saj. Ato kanë ekzistuar më parë dhe kanë pritur momentin kur protestuesit do të lodheshin ose kur pushteti do të arrinte ta dobësonte revoltën përmes teknikave të njohura, si përdorimi i muzikës së lartë, marshimet pa objektiv dhe shpërndarja e vëmendjes nga kërkesat kryesore.
Pikërisht në këtë moment, figura dhe grupime të gatshme prej kohësh përpiqen të dalin në sipërfaqe dhe të paraqiten si përfaqësues të një proteste që nuk i ka mandatuar. Këto janë metoda të përdorura shpesh nga pushtete jodemokratike për të kontrolluar, përçarë ose delegjitimuar lëvizjet qytetare.
Klosi e lidhi protestën edhe me zgjedhjet e ardhshme vendore, duke deklaruar se gara elektorale do të tregojë nëse protestuesit kanë mbështetje reale në popull.
“Partia Socialiste është lehtësisht më e përgatitur për të garuar në të 61 bashkitë. Ne kemi filluar punën, edhe kjo punë ka filluar prej disa muajsh tashmë, për përgatitjen e gjithë strukturës sonë dhe ambientit për t’i fituar të gjitha bashkitë e vendit, në rast se do të jenë 61 mbas kësaj çfarë po diskutohet në komisionin për reformën territoriale. Kurse për sa i përket atyre që do të na dalin përballë, asnjëherë s’e kemi pasur problem se kë kemi përballë. Gjithmonë ka qenë raporti me qytetarët. A jemi ne ata që qytetarët kanë votuar para tre vjetësh në pushtetin lokal? A jemi ne ata që kanë votuar para një viti në pushtetin qendror? Si jemi përgjigjur karshi kërkesave të tyre? Si kemi reaguar, çfarë qytetarët kanë kërkuar? Gara do të jetë për pak muaj dhe ajo garë do të dëshmojë se dhe ata që janë në protestë kanë apo jo mbështetje popullore, se është një gjë të bësh protestë, edhe protestat në botë ndodhin edhe me një njeri”, tha Klosi.
Me këtë deklaratë, deputeti socialist përpiqet ta zhvendosë debatin nga përgjegjësia e qeverisë dhe kërkesat e qytetarëve drejt një gare partiake që ende nuk ka nisur. Por mbështetja e një proteste nuk matet vetëm me kandidatë dhe rezultate zgjedhore, veçanërisht kur protesta nuk është parti politike dhe nuk pretendon të jetë e tillë.
Në përfundim, Klosi tha se protesta nuk lidhet më vetëm me çështjen e investimit në Zvërnec, por është kanalizuar drejt kërkesave politike për largimin e Edi Ramës dhe Partisë Socialiste nga pushteti.
“Është shumë mirë që tani gjëja është kanalizuar te politika. Pra, se në fillim pati një si ndjesi që njerëzit demonstronin apo protestonin për investimin në Zvërnec. Mbase investimi në Zvërnec shërbeu që të kishte një lloj diskutimi pak më të gjerë sesa diskutimi politik. Tani ata kanë dalë një grup qytetarësh që kërkojnë dorëheqjen e qeverisë dhe kjo nuk është asgjë e re në demokraci. Në çdo vend të botës, në vende demokratike, ditën e parë që ti humbet pushtetin, të nesërmen ka një grup që humb dhe kërkon rimarrjen e pushtetit.
Pra, kërkesa për të mos qenë Edi Rama kryeministër dhe Partia Socialiste në pushtet është kërkesë mbase një pjese të qytetarëve të cilët nuk na kanë votuar”, tha Blendi Klosi.
Përpjekja për ta reduktuar protestën në një lëvizje të qytetarëve që nuk kanë votuar Partinë Socialiste synon ta ndajë shoqërinë në kampe dhe të shmangë pyetjen kryesore: pse qytetarët kanë dalë në rrugë dhe pse kërkojnë largimin e qeverisë?
Protesta nuk ka nevojë që Blendi Klosi apo pushteti t’i caktojnë përfaqësuesit, t’i përcaktojnë formatin apo t’i diktojnë mënyrën se si duhet të kërkojë llogari. Ajo ka nevojë që kërkesat e qytetarëve të dëgjohen, jo që të përkthehen sipas interesit politik të qeverisë.