Skip to content
Kryesore

Kamerat nuk punonin/ Zbardhet dëshmia e punonjësve për sulmin në zyrat e “One”

· 2 min lexim

Hetimet për ngjarjen e ndodhur më 25 dhjetor 2024 në ambientet e një kompanie telefonike në Laprakë kanë sjellë detaje të reja.

Lexo këtu: https://gazetareforma.com/skandal-ne-one-albania-fshehen-sulmin-ne-zyrat-e-kompanise-procedohen-8-punonjes/

Sipas burimeve nga prokuroria dhe policia, dy persona të maskuar janë futur në katin e tretë të godinës duke thyer drynin e derës së pasme.

Hetimet e deritanishme kanë treguar se ata nuk kanë vjedhur, por kanë shkatërruar disa pajisje në sallën e mbledhjeve.

Pas ngjarjes, punonjësit dhe rojet e sigurisë të kompanisë “Nazeri 2000” vendosën të fshehin incidentin dhe nuk bënë kallëzim në polici.

Hetimet filluan vetëm tre muaj më vonë, kur një foto e dy personave të maskuar që hynin në godinë u publikua në media. Pas kësaj, Policia nisi hetimin dhe procedoi penalisht tetë persona.

Për këtë ngjarje, grupi hetimor ka marrë në pyetje punonjësit e kompanisë dhe ata të kompanisë që merret me sigurinë.

Rojet e sigurisë kanë deklaruar se nuk e raportuan ngjarjen për të mbrojtur imazhin e kompanisë. Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu tabulate telefonike të punonjësve dhe kontaktet e tyre me drejtuesit e kompanisë për të zbuluar arsyen e fshehjes së ngjarjes.

Aktualisht, prokuroria nuk ka ende një pistë konkrete për arsyen e shkatërrimit të pajisjeve, ndërkohë që grupi hetimor ka zbuluar se disa kamera sigurie në kompaninë telefonike nuk kanë funksionuar në ditën e ngjarjes.