Në Kuvendin e Shqipërisë është rikthyer në qendër të debatit një prej aferave më të rënda të dekadës së fundit: koncesioni i hemodializës, një kontratë prej dhjetëra milionë eurosh që ka përfituar Spitali Amerikan i biznesmenit kontrovers, Klodian Allajbeu. Deputeti socialist Erion Braçe ngriti alarmin gjatë prezantimit të raportit të vitit 2024 të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), duke kërkuar një auditim të plotë dhjetëvjeçar të kontratave koncesionare në shëndetësi.
“Kontrata koncesionare ‘Për ofrimin e hemodializës’ ka rezultuar me pagesa për shërbime të pakryera, konkretisht për 9241 raste nën projeksion dhe 1557 raste mbi projeksion, në shumën 103,527 mijë lekë. Kjo sjellje përsëritet çdo vit. Duhet një auditim i plotë për 10 vitet e këtyre kontratave”, deklaroi Braçe.
Kreu i KLSH, Arben Shehu, konfirmoi se janë konstatuar shkelje serioze në kontratat e shëndetësisë, përfshirë pagesa për shërbime të pakryera dhe keqmonitorim të fondeve publike.
“Shteti duhet të bëjë një analizë të detajuar për të rikuperuar dëmin brenda afateve të detyrueshme. Në disa raste është vijuar me pagesa për shërbime që nuk janë kryer ose janë kryer në vëllime më të ulëta se projeksioni”, theksoi Shehu.
Por pas kontratave të fryra e pagesave të dyshimta qëndron një emër i vetëm: Klodian Allajbeu. Ai ka ndërtuar një perandori përmes Spitalit Amerikan dhe një rrjeti kompanish të lidhura, që përfitojnë nga koncesione publike dhe nga paaftësia, apo bashkëpunimi i institucioneve shtetërore për ta ndalur.
Vetëm nga koncesioni i dializës, Allajbeu ka përfituar rreth 84 milionë euro, ndërsa koncesioni i laboratorëve që kontrollohet po nga njerëzit e tij arrin 130 milionë euro.
Në qershor të vitit 2024, për herë të parë një kallëzim penal ndaj Allajbeut dhe rrjetit të tij u depozitua në SPAK. Dokumentet e dorëzuara rendisin një sërë akuzash të rënda: falsifikim dokumentesh, mashtrim me pasurinë publike, korrupsion aktiv, fshehje të ardhurash dhe pastrim parash.
Në dosje përfshihen edhe emra të njohur të administratës shtetërore, mes tyre ish-ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe disa ish-drejtues të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
Sipas kallëzimit, Allajbeu përdor një rrjet kompanish fiktive për të zhdukur gjurmët e parave publike që përfiton nga kontratat koncesionare. Kompani si “Evita” sh.p.k, “Dia Vita” sh.p.k dhe “Balkan Alliance Healthcare BV” janë përdorur si fasadë për të transferuar fonde në Holandë e më pas në Britaninë e Madhe, ku dyshohet se janë investuar në pasuri të paluajtshme.
Një nga shembujt më flagrant është ai i “Evita” sh.p.k, e cila pas fitimit të koncesionit të dializës i shiti aksionet e saj një kompanie guackë në Holandë për vetëm 160 mijë euro, një shumë qesharake për një kontratë me vlerë dhjetëra milionë euro.
Modeli i Allajbeut është tipik për “oligarkinë e bardhë” që po gërryen sistemin shëndetësor shqiptar: kompani që fitojnë tendera strategjikë pa eksperiencë, deklarojnë humbje fiktive për të shmangur taksat, ndërkohë që pasurohen përmes koncesioneve publike. Në vitin 2020, në kulmin e pandemisë, Spitali Amerikan deklaronte humbje prej 200 mijë eurosh, ndërsa testet anti-COVID shiteshin disa fish mbi koston reale.
Në vitin 2023, Allajbeu bleu për 24 milionë euro një kompani që më parë e kishte në pronësi, duke përsëritur të njëjtin model financiar të përdorur nga Francesco Becchetti, i cili u dënua me 17 vite burg për pastrim parash.
Përveç aferave financiare, Allajbeu është akuzuar edhe për kapjen e medias dhe intimidimin e gazetarëve. Sipas investigimeve të BIRN dhe dëshmive të ish-drejtores së marketingut të Spitalit Amerikan, Oriela Kosho, gazetarëve u ofroheshin sponsorizime në këmbim të fshirjes së artikujve kritikë. Ky është një shembull i qartë sesi paratë e shëndetësisë, që duhet të shkonin për pacientët, përdoren për të blerë heshtjen publike.
Ndërsa SPAK po heton dosjet e koncesioneve, shteti shqiptar vazhdon të paguajë miliona euro çdo vit për shërbime të dyshimta që, në disa raste, nuk kryhen fare. KLSH ka konfirmuar se ka kallëzuar 13 raste penale gjatë vitit 2024, përfshirë edhe atë të hemodializës.
Pas më shumë se një dekade përfitimesh, lidhjesh politike dhe pandëshkueshmërie, çështja e Allajbeut mund të jetë testi më i madh për integritetin e drejtësisë së re.
Nëse SPAK dështon ta çojë deri në fund këtë hetim, do të dëshmojë se edhe reforma në drejtësi mund të blihet, si çdo kontratë tjetër që i ka sjellë pasuri marramendëse oligarkut të bardhë me duar të përgjakura nga paratë e pacientëve shqiptarë.
 
                                






